Në mbledhjen e kësaj mërkure të qeverisë u miratuan rregulla të reja sa i takon përdorimit të lëndëve piroteknike. Vendimi, sipas Ministrit të Brendshëm Taulant Balla, vjen pas shqetësimeve të shumta të qytetarëve për përdorimin kryesisht të fishekzjarreve, në mesnatë.
“Policia vazhdon të marrë në mënyrë ë vazhdueshme ankesa nga qytetarët jo vetëm të Tiranës, për përdorimin në mënyrë të parregullt të lëndëve piroteknike, fishezjarreve kryesisht. Jo vetëm sa i përket orarit të përdorimit të tyre në mesnatë. Dhe besoj që ato që më kuptojnë më mirë janë nënat me fëmijët të vegjël, që janë dhe ato që ankohen më së shumti. Sot në mbledhjen e qeverisë kemi miratuar rregulla të reja, për mënyrë e pajisjes me licencë, por edhe një procesit tjetër të rëndësishëm lidhur me sigurinë, që lidhet me magazinimin. Do të jemi shumë strikt, sa i përket këtij procesi”, tha Balla.
Ministri u shpreh se e mirëkupton dëshirën për të festuar, por kjo tha ai nuk duhet të dëmtojë apo prishë qetësinë e komunitetit.
“Unë ë mirëkuptoj dëshirën për të festuar, por jo nuk duhet të dëmtojë apo të prishë qetësinë e anëtarëve të tjerë të komunitetit ku ti jeton. Sot në Shqipëri, qoftë sa i përket Kodit Penal, apo akteve të tjera, është e palejuar dhe ndëshkohet edhe penalisht përdorimi i lëndëve piroteknike, nga persona të paautorizuar dhe duke shkaktuar prishje të qetësisë publike. Apeli im është, policia do vazhdojë të monitorojë situatën dhe është e detyruar të aplikojë edhe penalitete. Gjatë kësaj jave kemi pasur disa raste në Tiranë kur policia është dashur të ndërhyjë. Edhe pas kësaj vihet re që jo të gjithë qytetarët e kanë kuptuar që mund të vazhdojë më historia. Në një qytet të madh si Tirana me 1 milion banorë, i bie që të paktën 3 mijë prej tyre ta kenë ditëlindjen në një ditë. Dhe imagjinoni sikur këta 3 mijë të shprehin gëzimin e tyre duke shkrepur të gjithë fishekzjarret që mund të kenë. Kjo rrezikon jetën e përdoruesve dhe dëmton dhe qetësinë publike”.
Balla theksoi se qasja e institucionit që ai drejton nuk është që gjithçka të adresohet me gjoba dhe u shpreh besimplotë se ka mirëkuptimin e qytetarëve.
“Gjoba është gjëja e fundit, unë besoj që gjithë qytetarët kanë mirëkuptimin, sepse besoj se secili prej nesh, ose ka një fëmijë të vogël në shtëpi, ose një anëtar të moshës së tretë i cili në 12 të natës është në gjumë dhe nuk ka të drejtën askush t’ia prishë gjumin qytetarëve”, theksoi ai.