Politika Kryemadhi ndryshon kurs, mbron Metën: SPAK, vegël e Ramës! Iliri më sulmon...

Kryemadhi ndryshon kurs, mbron Metën: SPAK, vegël e Ramës! Iliri më sulmon si politikane, jo si bashkëshorte

Ndryshe nga sa u shpreh dje, Monika Kryemadhi ka ndryshuar kurs. Teksa futej sot për në selinë e Kuvendit të Shqipërisë është ndaluar nga gazetarët për të dhënë një prononcim lidhur me deklaratat që ka bërë i shoqi, njëkohësisht edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Deputetja e Partisë së Lirisë shprehu edhe dakordësinë për sulmin që Meta po i bën Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sipas saj, SPAK është vegël e kryeministrit Edi Rama, ndaj dhe beteja e opozitës nuk duhet të jetë me organin e drejtësisë. Sa i përket sulmeve që Meta nuk i ka kursyer as ndaj saj, Kryemadhi duket se di ta bëjë dallimin mes Monikës politikane dhe asaj bashkëshorte. Ndaj sqaroi se sulmet i ka pasur si politikane. Por shtoi se nuk qëndrojnë akuzat për nepotizëm sepse ajo është votuar nga qytetarët, ndaj postin nuk ka sesi t’ia ketë dhënë as Meta dhe as Partia e Lirisë.

Gjuha e përdorur sot është shumë më e zbutur nga dje, kur e akuzoi Ilir Metën se po i shërbente kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

PRONONCIMI I PLOTË PËR MEDIAT:

Kryemadhi: Në 2003, Partia Socialiste ndryshoi statutin për të larguar Kryemadhin nga partia dhe thoshte o Monika, o Iliri. Në 2004, kur u themelua LSI-ja, grupi themelues, edhe pse Monika ishte një prej tyre bënë statutin që nuk lejohet burrë dhe grua në parti. Mbas dy vjetëve e ndryshuan prapë. Mendoj që meritokracinë në një parti nuk e mbyt dot nepotizimin. Nepotizmi është për institucionet shtetërore kur emërojnë, ndërsa deputeti zgjidhet me vota. Mund të të emërojë Ilir Meta deputet, por nuk të zgjedh populli me vota.

Ju vjen keq për gjuhën që ka përdorur bashkëshorti juaj për SPAK?

Kryemadhi: Në çdo fjalë që ka thënë Ilir Meta për kapjen e drejtësisë nga qeveria, jam shumë dakord për mënyrën mendoj që e them përsëri vjen revolta sepse njerëzit në një moment edhe revoltohen. Mendoj se SPAK-u është vegël e Edi Ramës dhe beteja jonë nuk është më SPAK-un.

Jeni dakord me sulmet ndaj Dumanit?

Kryemadhi: Ju duket normale që gazetat e Erion Velisë hapin faqet e para me njoftimet që SPAK-u çon tek të tjerët. Lajmi kalon nga gazetarët para se të shkojë tek qytetarët.

Jeni ndjerë e sulmuar nga bashkëshorti juaj?

Kryemadhi: Mua më shumë seç më ka sulmuar Edi Rama, Erion Veliaj… Pse nuk u dhimbset kjo ju, si bashkëshorti? Nuk më ka sulmuar si bashkëshorte, por si politikane. Po keq iu ka ardhur që Erion Veliaj ka paditur në SPAK mamanë time, fëmijët e mi.

Do kandidoni për presidente të PL?

Kryemadhi: Unë kandidoj me mendime jo me kandidatura.