Lulzim Basha thotë se kanë bërë gati 2 amendamente për të mbështetur Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në misionin që ka marrë përsipër. Në një konferencë me gazetarët, Basha është shprehur se të dyja këto ndërhyrje kanë si qëllim që të përmirësojnë kapacitetet e SPAK-ut që t’i rrisin ato me efekt të drejtpërdrejtë në goditjen e korrupsionit qeveritar dhe krimit të organizuar.
Lulzim Basha: Kjo e konfirmon luftën kundër korrupsionit si një prioritet kombëtar. Prioritetin tonë në raport me alternativën qeverisëse, po ashtu edhe mbështetjen tonë për SPAK-un dhe drejtësinë për sulmet që i vijnë nga të pushtetshmit e qeverisë dhe pushtetit vendor që përpiqen të kontrollojnë çdo vendim të organeve të drejtësisë. Përsëris thirrjen për të forcuar një front të përbashkët me të gjithë njerëzit e ndershëm të këtij vendi që kërkojnë drejtësi.
PD ka bërë gati dhe do të dorëzojë në Parlament amendamente për të mbështetur SPAK-un në misionin që ka marrë përsipër. 2 amendamente të propozuara kanë përfunduar pas një pune të kujdesshme të ekipit tonë juridik, i pari ka të bëjë me dispozita ligjore që ndihmojnë në fuqizimin strukturor të SPAK. I dyti ka të bëjë me ndryshime të Kodit të Procedurës Penale me qëllim mbushjen sipas standardeve evropiane të vakumit ligjor në raport me ekzekutimin e vendimeve të huaja penale, si dhe kompetencat e GJKKO-së në lidhje me njohjen e vendimeve të huaja penale.
Të dyja këto ndërhyrje që propozohen kanë për qëllim të përmirësojnë kapacitetet e SPAK dhe t’i rrisin ato me efekt të drejtpërdrejtë goditjen e korrupsionit qeveritar dhe krimit të organizuar dhe për t’i shërbyer një prioriteti mbarëkombëtar që është lufta kundër korrupsionit.