Policia e Fierit njofton se ka arrestuar një 31-vjeçar, të shpallur në kërkim, pasi ishte dënuar me 19 vjet burg për një vrasje të kryer me thikë në vitin 2017, në zonën e quajtur “Ura e Zharrës”.
Asokohe, i arrestuari e ka kryer krimin në bashkëpunim me një tjetër shtetas, ky i fundit, i cili aktualisht po vuan dënimin në IEVP.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Sharp”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim për vrasje. I dënuar me 19 vjet burgim, për një vrasje me mjet prerës (thikë), të kryer në vitin 2019, kapet dhe vihet në pranga 31-vjeçari.
Në zbatim të planit të masave, të hartuar në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Sharp”, si rezultat i të cilit u kap shtetasi i shpallur në kërkim Sadri Selaci, 31 vjeç.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me vendimin e datës 06.07.2023, e ka dënuar këtë shtetas, me 19 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Më datë 11.08.2019, në vendin e quajtur “Ura e Zharrës”, ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin K. M. (aktualisht vuan dënimin në IEVP), ka vrarë me mjet prerës (thikë), shtetasin F. S..”, thuhet në njoftimin e policisë së Fierit.