Sport Gega: Çështja e titullit nuk mbyllet në Laç, afrimet e janarit nuk...

Gega: Çështja e titullit nuk mbyllet në Laç, afrimet e janarit nuk janë gati!

Skënder Gega u shfaq shumë i qeshur në konferencën për shtyp përpara sfidës së kësaj të diele ndaj Laçit. Trajneri i Partizanit gjithsesi theksoi se edhe në rast fitoreje të të kuqve ndaj kurbinasve gara për titullin kampion nuk mund të konsiderohet kurrsesi e mbyllur.

MOMENTI I VRASJES SË KAMPIONATIT

“Llogaria jonë është e thjeshtë, ne shohim ecurinë tonë. Ndeshja me Laçin është e rëndësishme, kundërshtari është ekip i mirë. Takimi i djeshëm bëri që Kukësi të shkëputej me humbjen e pësuar, por kjo nuk do të thotë që kampionati është vendosur. Ka edhe 15 ndeshje, do i shohim na vazhdimësi. Për ne i rëndësishëm është Laçi. Do mundohemi të marrim maksimumin. Kemi ardhur me meritë këtu. Do marrim masat që të eliminojmë çdo firo të mundshme. Ecuria jo e mirë e Laçit? Siç e patë edhe dje, Teuta kishte disa ndeshje pa fitore. Dje tregoi se gjërat ndryshojnë shpejt, me një performancë të mirë. Ne jemi të gatshëm, e vlerësojmë Laçin. Luan mirë në shtëpi, ka linjën e vet. Mbrohet mirë dhe janë djem të rinj me ego. E shoh të vështirë. Jemi të ndërgjegjshëm, nuk i nënvlerësojmë dhe as i mbivlerësojmë”.

EUFORIA

“Për fat të mirë, të rinjtë kanë treguar që e kanë mbajtur presion. Kjo edhe falë të tjerëve me eksperiencë. Po e tregojnë edhe në stërvitje që nuk janë euforikë. Si trajner mundohemi të jemi me këmbë në tokë dhe të vlerësojmë gjithçka. Jemi prej kohësh të parët dhe jemi të kënaqur. Kjo ka ardhur nga menaxhimi i mirë dhe nga punë e mirë që kemi bërë bashkërisht. Janë ndërthurur brezat dhe kjo na bën të qetë”.

TITULLI

“Ata që kanë qenë këtu e kanë Partizanin për zemër. Opinioni i ‘ish’-ëve na bën krenarë, por na shton edhe përgjegjësinë. Gjërat nuk janë të lehta. Do i marrim ndeshjet njëra pas tjerr. Parashikimet janë individuale. Nuk vendoset gjë nesër. Që pasi dolëm të parët është folur për titull. E kam thënë se duhet t’i shohim ndeshjet një e nga një”.

SFIDAT ME RIVALËT

“Jemi në pozitat tona. Kemi luajtur me Skënderbeun dhe fituam me lojë bindëse në Korçë. I shohim gjërat siç janë. Për mua ka rëndësi të jetë grupi i plotë, pastaj gjërat do shkojnë mirë. Jemi bazuar te puna dhe harmonia që kemi. Çdo ndeshje, qoftë me Tiranën, qoftë me çdo rival me traditë, apo ato të rinjtë, duhen vlerësuar”.

FRIKA E PARTIZANIT

“Unë i druhem çdo jave. Pas fitores me Kastriotin pati fjalë të mira, por mua më intereson Laçi tani. Duhet të shohim para, kjo është droja e një trajneri. Për fat të mirë, veç Rexhepit, e kemi pjesën tjetër gati. Nuk kam frikë nëse grupi është i plotë.”

AFRIMET E JANARIT

“Nuk kanë debutuar për shkak të gjendjes fizike. Kur kemi marrë lojtarët, kanë pasur këtë gjendje, pa ekip. Ka nj arsye pse nuk luajnë. Janë lojtarë me vlera, por ende nuk kanë gjendje fizike. Po mundohemi t’i sjellim në maksimum. Ka edhe 15 javë, edhe nëse do jenë në 100% në javët e fundit, do të jetë mirë për ne. Kampionati nuk mbyllet tani. Hyseni? Ka konkurrencë, nuk e kam shumë siklet. Alesio është një djalë i ri, nuk ka shumë eksperiencë. Është e vërtetë që tek ai pozicion ka konkurrencë, kjo e bën atë të mos mërzitet por të rritet. Ka pasur një dëmtim dhe ka munguar gjatë. Shpresoj të rikthehet dhe është një djalë me të dhënë të mira. Do shikojmë pjesën e shëndoshë. Kush nuk është 100% do të presë”.