Partia Socialiste ka paraqitur një draft-rezolutë që sipas saj, do të angazhojë në reformimin institucional, një domosdoshmëri që buron nga dokumenti i diagnozës së Komisionit Europian për Shqipërinë si dhe të gjithë detyrat e procesit e anëtarësimit në BE.
Ai që e bëri publike këtë iniciativë të shumicës qeverisëse ishte kryeministri Edi Rama përballë grupit të tij parlamentar dhe kabinetit qeveritar. E për të adresuar të gjitha detyrat që duhen për t’u anëtarësuar në BE, Rama tha se duhet angazhimi i të gjithë shtetit shqiptar.
“Vetëm nëse e përballim sfidën e anëtarësimit si një trup i vetëm i shtetit shqiptar mund t’ia dalim të jemi plotësisht gati pa e pritur dekadën tjetër për t’u bërë pjesë e BE”, tha Rama.
Kreu i qeverisë pati një thirrje për opozitën duke kërkuar që lufta politike të lihet mënjanë, por procesi i mëtejshëm i shtetbërjes europiane të vendit tonë të bëhet brenda një hapësire të përbashkët pune bashkë me aleatët strategjikë, institucionet e pavarura, shoqërinë civile, botën akademike, etj.
“Ne sot jemi gati për t’i paraqitur grupit parlamentar një projekt-rezolutë të Kuvendit të Shqipërisë që të nisim përpjekjen për këtë angazhim gjithëpërfshirës ku padyshim nuk mund të mendohet që mund të përjashtohen opozitat politike në Kuvend dhe jashtë saj. Thirrja ime sot për ata që janë kundër nesh, është shumë e thjeshtë besoj. Ne nuk ju ndryshojmë dot juve, prandaj luftën tuaj politike vazhdojeni si ta mendoni me të gjithë arsenalin e mirënjohur prej vitesh që dispononi, por le të krijojmë një hapësirë jashtë territorit të kësaj lufte, një zonë të ndaluar për sharjet dhe sherret e kësaj jete të ulët politike ku jemi të ngërthyer secili në mënyrën e tij, një vend pune të përbashkët me aleatët tanë strategjikë, SHBA dhe BE me ekspertizën më të mirë vendase dhe ndërkombëtare, me të gjitha institucionet e pavarura, shoqërinë civile, botën akademike, grupet e interesit, për të adresuar jo dallimet tona të papajtueshme politike, as interesat tona të paafrueshme partiake, por procesin e mëtejshëm të shtetbërjes europiane të Shqipërisë duke analizuar me sa më shumë objektivitet të gjitha hallkat e shtetit në këtë fazë të re si dhe identifikuar hapa që duhen marrë dhe masa që duhen ndërmarrë.
Tani ju thoni që e keni shumë seriozisht që doni të vini në pushtet, dhe pavarësisht se çfarë mendojmë ne për këtë dëshirë tuajën, unë ju them se zgjedhjet janë vitin e ardhshëm dhe nëse me gjithë mend do vini në pushtet atëherë ju duhet të jeni të parët të interesuar për këtë iniciativë sepse bota do të vazhdojë të rrotullohet edhe pas zgjedhjeve të ardhshme. Ora biologjike mund të ndalë largqoftë për secilin prej nesh, por s’mund të ndalë për të gjithë ne. Çfarë do çudie të na sjellë koha deri në zgjedhje, përsëri do të ketë opozitë, përsëri do të ketë qeveri ku forcat ekzistuese të parlamentit të sotëm do të kenë rolin e tyre. Kështu që Konsiderojeni këtë iniciativë tonën si mundësi tuajën për të filluar të mendoni se çfarë do duhet të bëni për shtetbërjen europiane, ku dëshira juaj që të vini në pushtet të plotësohet dhe ju të jeni qeveria. Kijeni parasysh që kjo iniciativë kërkon një punë të madhe, edhe më të madhe sesa puna për reformën në drejtësi, çka do të thotë se do të marrë disa vjet.
Personalisht mua dhe ne që jemi këtu dhe na gënjen mendja që do jemi këtu dhe 5 vjet të paktën, iniciativa na duhet për Shqipërinë e 2030-s ku me ndihmën e Zotit duam ta ngremë flamurin shqiptar në Bruksel dhe do jetë i pari në radhën e shteteve të BE se fati ka dashur që Albania fillon me A. Uroj të kuptoni këtë herë se në politikë ka edhe udhëkryqe ku drejtimi për t’u marrë është i njëjtë, pavarësisht nga dallimet dhe kush refuzon ta marrë për inat të tjetrit humbet rrugën dhe harxhon shumë kohë për t’u kthyer po aty. Eksperienca juaj duhet t’ju thotë diçka për këtë”, tha Rama.