Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja thotë se asnjë zyrtar i lartë i dënuar nga Gjykata e Posaçme apo që ka qenë/është simbol i SPAK, nuk ka përfituar nga amnistia.
Në fjalën e tij në Parlament duke u përgjigjur në interpelancën e kërkuar nga deputeti Enkelejd Alibeaj, ministri Manja theksoi se nga amnistia kanë përfituar 20 persona të dënuar nga GJKKO, por kanë qenë nëpunës të shtetit ose qytetarë të zakonshëm dhe jo zyrtarë të lartë apo simbol të korrupsionit në Shqipëri.
“Nuk kam mashtruar askënd, por kam shprehur publikisht qëndrimin e qeverisë për të mos amnistuar asnjë zyrtar apo ish-zyrtar të lartë të hetuar apo dënuar për korrupsion. Ata që kanë përfituar nga amnistia me ulje dënimi dhe janë dënuar nga GJKKO për vepra penale korruptive, janë shtetas të zakonshëm ose nëpunës në shërbim publik janë vetëm 8 dhe asnjëri prej tyre nuk është simbol i korrupsionit në Shqipëri”.
Megjithatë, ministri i Drejtësisë u shpreh se personalisht mendon që amnistia e vitit 2024 ishte e butë dhe do të duhej të ishte më e gjerë se kaq.
“Nëse doni mendimin tim, po, kjo amnisti në raport me nevojat dhe të garantimit të standardeve të të dënuarve me standardet europiane të burgjeve, kjo amnisti është e butë. Do duhet të ishte më e gjerë se sa ishte. Sepse sot që flasim, në burgje janë 4918 të paraburgosur dhe të dënuar”.
Manja renditi edhe shkaqet përse u ndërmor amnistia penale.
“Mbipopullimi, gjendja e rënduar e paraburgimit, pandemia dhe gjendja shëndetësore e mjaft prej të dënuarve, kohëzgjatja e vuajtjeve të dënimit, rritja e kostove financiare dhe mungesa e burimeve njerëzore”.
Nga amnistia penale, deri më tani janë liruar në total 868 të dënuar. Nga këta, 808 janë liruar menjëherë më 24 Prill 2024 kur nisi zbatimi i amnistisë. Ndërsa ulje dënimi kanë përfituar 955 të dënuar, nga të cilët 8 gra dhe 2 të mitur.
Ministri i Drejtësisë foli me shifra për të dënuarit nga GJKKO, që janë 20, dhe renditi emrat e tyre që u liruan, por nuk janë zyrtarë apo ish-zyrtarë të lartë.
“Në 20 të dënuar nga GJKKO, vetëm 8 prej tyre kanë qenë të dënuar kundër veprimtarisë shtetërore, pra shtetas të zakonshëm, por kurrsesi zyrtarë të lartë. 10 të tjerë kanë qenë të dënuar për dhënie ndihme kalim të paligjshëm kufiri, falsifikim dokumentesh”.