Aktualitet Alibeaj, akuza Manjës: Bombën gjykatësit në Shkodër mund t’ia ketë vënë i...

Alibeaj, akuza Manjës: Bombën gjykatësit në Shkodër mund t’ia ketë vënë i liruari nga amnistia

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, në interpelancën me Ulsi Manjën për Amnistinë Penale, deklaroi se, sipas mediave të ndryshme, bombën gjykatësit në Shkodër mund t’ia ketë vënë një i liruar nga kjo amnisti.

Duke iu drejtuar ministrit të Drejtësisë, Alibeaj tha: “Paske liruar 8, 18, 26, 46 persona të dënuar nga GJKKO… Ndryshe nga ç’betoheshe një muaj më parë. Së dyti, e patë që nuk mbajti asgjë për vete. Tha se e votuat ju Amnistinë Penale, e mbani për vete! E keni peshqesh nga bashkimi një muaj më parë. Ulsi, nëse do të bëhej në 2017 kjo amnisti, ti nuk do e votoje se do ishe te burgu 313. E mban mend dosjen “184” të Dibrës? Gënjeshtra e amnistisë u shkëput si maska nga fytyra e Ulsiut dhe atyre që e votuan, SPAK demaskoi qeveritarët sepse 100 të dënuar nga GJKKO përfituan”.

Më tej, Alibeaj lëshoi “bombën”: “I kërkuat të dënuarve dhe atyre nën hetim që mos të rrëfehen. Kjo ishte porosi, se mbrojtja politike është e sigurt. Pëshpërima ishte e thjesht: mbajeni gojën mbyllur se pak kohë burg do të bëni. Amnistia e maskuar si akt faljeje dhe mëshire është një shfaqje hipokrizie ndaj partnerëve. Nuk e di sa e vërtetë është ajo që është raportuar se i dyshuari për vendosjen e tritolit në shtëpinë e gjyqtarit të Shkodrës mund të jetë liruar nga amnistia. Ata u liruan para kohe nga ndëshkimi i ligjit, pa iu dhënë koha për të reflektuar”, theksoi Alibeaj.

Duke e konsideruar një nga njollat më të errëta të veprimtarisë së parlamentit, Alibeaj tha se arsyeja e vërtetë e miratimit të amnistisë natën, ishte vetëm për arsye politike.

“S’dua ta bëj një lojë të neveritshme me shifrat e numrat, por arsyet e vërteta të miratimit të amendamenteve natën janë arsye politike, që ose do të na shfajësojë të gjithë ju ose do t’ju ngarkojë me një njollë të pashlyeshme, se dihet mirë se cilat janë mesazhet që nëpërmjet kësaj amnistie ju dërguan publikut shqiptar. Po para kësaj cilat janë përgjigjet e përfaqësuesit të qeverisë lidhur me këto pyetje për të bërë dritë për atë që është një nga njollat më të errëta të veprimtarisë së këtij parlamenti?”