Kryeministri sllovak Robert Fico, i cili u plagos rëndë pasditen e të Mërkurës në një atentat me armë, është tashmë jashtë rrezikut për jetën në spital.
Këtë e pohoi zv/kryeministri Tomas Taraba në një deklaratë për mediat nga spitali i Banjska Bistricës, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje të vështirë kirurgjikale që zgjati për 5 orë.
Zv/kryeministri tha gjendja e tij shëndetësore vijon të mbetet e rëndë, ndonëse e qëndrueshme, çka do të thotë se ai do të ketë nevojë për një periudhë të gjatë shërimi. Ficon e kapën 3 nga 5 plumbat e shtënë në një distancë fare të afërt nga autori i dyshuar, një poet amator 71-vjeçar.
Autori u neutralizua në vendngjarje nga truprojat. Në një video që qarkullon në rrjetet sociale pas shoqërimit në komisariat, 71-vjeçari jep edhe arsyet pse e kreu këtë akt.
“E qëllova sepse isha kundër politikave të tij si kryeministër”.
Policia deri më tani nuk ka bërë asnjë deklaratë zyrtare për këtë rast dhe nuk ka zyrtarizuar as identitetin e autorit të zbuluar nga mediat lokale. Plagosja e kryeministrit ndodhi pas një aktiviteti në qytetin e Handlovës 150 kilometra në verilindje të Bratislavës, ku ai doli të takonte disa mbështetës, mes të cilëve ishte edhe atentatori.
Ngjarja ndodh teksa Fico, një politikan me pikëpamje pro-Moskës po përballet me protesta masive kundër reformës së radiotelevizionit publik, që sipas opozitës pro-europiane synon ta vendosë atë nën kontrollin e tij të plotë, në shkelje të fjalës së lirë.