Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Lushnje, ku babai ka plagosur vajzën pas një konflikti dhe më pas ka vrarë veten. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:15, në lagjen “18 Tetori”.
Mësohet se babai Behar Musaku, rreth 82 vjeç pas një sherri të çastit ka plagosur me armë gjahu vajzën e tij, Rudina Musaku rreth 40 vjeç.
Pas kësaj, babi me armën e gjahut që e kishte me leje, ka vrarë veten. 40-vjeçarja ndodhet në spital në gjendje të rëndë për jetën.
Shkaku i ngjarjes
“Pse bredh?! Je pa burrë, mos ik lart e poshtë!”, sipas familjarëve kështu mësohet t’i ketë thënë 82-vjeçari Behar Musaku vajzës së tij, para se ta qëllonte me çifte.
Siç duket divorci i 40-vjeçares ishte kthyer në një pikë të nxehtë debatesh të herëpashershme mes babë e bijë. Debate që çuan në ngjarjen e rëndë, ku Rudina Musaku është në spital në gjendje kritike, ndërsa i moshuari i ka dhënë fund jetës së tij. E pranishme gjatë sherrit mes tyre, kishte qenë dhe gruaja e 82-vjeçarit.
E plagosura, është nënë e dy fëmijëve dhe sipas raportimeve, këtë të diel ajo kishte shkuar për vizitë te i ati.
Mësohet se Rudina punon si kamariere në Tiranë, ndërsa fëmijët e saj, 16 dhe 17 vjeç, rrinë më shumë me ish-bashkëshortin.