Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku është shprehur se taksimi i profesioneve të lira shtrenjton jetën e qytetarëve. Nga Gjykata Kushtetuese, ku u paraqit pasi në kalendar ishte data e parashtrimit të argumenteve të tjera në lidhje me padinë e depozituar nga grupi i PD-së kundër taksës, ajo u shpreh se bizneset në vend po mbyllen dhe një pjesë po zhvendosen jashtë Shqipërisë
“Një pjesë e bizneseve të profesionistëve të lirë po mbyllen, një pjesë e tyre janë duke u larguar dhe jashtë Shqipërisë. Për këtë arsye ne do ta vazhdojmë mbledhjen e informacionit, do ta vazhdojmë njëkohësisht parashtrimin e fakteve në koordinim me të gjithë institucionet e tjera të cilat kanë sjellë padi në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh Tabaku.
Ajo theksoi se “taksa është e padrejtë” dhe se ka prekur jo vetëm profesionistët e lirë, por një zinxhir shërbimesh.
“Kështu që unë besoj që GJK do të ngrihet në mbrojtje të interesit publik, të së mirës publike, të zbatimit të Kushtetutës por njëkohësisht dhe të faktit që sot ndodhemi në një pikë kyçe, kthesë të besimit tek institucionet”, tha Tabaku.
FMN ka mbështetur qeverinë në lidhje me taksën e profesionistëve të lirë, ju çfarë komenti keni?
Jorida Tabaku: Unë përgjithësisht nuk kam dëshirë ti komentoj deklaratat e ndërkombëtarëve, por besoj që FMN e ka pasur për faktin që sot ka shumë përjashtime nga sistemi, sot kemi hotelet me 5 yje që janë të përjashtuar, heqja e përjashtimeve duhet të nisë nga ata që rëndojnë më shumë buxhetin e shtetit.
Në këtë rast ne nuk po kërkojmë asnjë politikë selektive, ne po kërkojmë që profesionet e lira të trajtohen si gjithë bizneset e tjera, sipas xhiros dhe unë besoj që për këtë FMN nuk ka asnjë objeksion. Në këtë rast, Qeveria shqiptare duhet të korrigjojë përjashtimet nga taksa për akcizën e naftës, nga favorizimet në fushën e turizmit, për taksën e infrastrukturës për biznesin e madh.
Këto janë përjashtime që e dëmtojnë buxhetin e shtetit, jo profesionet e lira. Nëse nuk ka pyetje unë dua t’ju falenderoj për interesin që ka pasur media për këtë çështje. Ndoshta është çështje pak teknike po ka pasur interes të jashtëzakonshëm, faleminderit që e keni mbuluar, dhe njëkohësisht dua të falenderoj të gjithë këshilltarët ligjore të grupit parlamentar të PD që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme me argumentet.