Policia e Shtetit njofton se ka vënë në pranga një punonjës të aeroportit të Rinasit, pasi akuzohet se, gjatë transportimit të bagazheve, ka vjedhur nga një valixhe një orë të shtrenjtë, që kap vlerën e rreth 20 mijë eurove.
Sipas policisë, arrestimi i 24-vjeçarit erdhi pas kallëzimit të depozituar nga një 30-vjeçar, se kushëririt të tij, i cili kishte udhëtuar nga Rinasi drejt Athinës, i kishin vjedhur një orë të kushtueshme të cilën e mbante në bagazhet e tij dhe vjedhjen e së cilës ai e kishte konstatuar në momentin kur kishte arritur në Athinë.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit K. Q., 24 vjeç, banues në Krujë, me detyrë punonjës për ngarkimin dhe shkarkimin e bagazheve, në aeroportin e Rinasit.
“Rinas, vodhi një orë të shtrenjtë, në një prej bagazheve të udhëtarëve, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 24-vjeçari, punonjës për ngarkim-shkarkimin e bagazheve, në vendqëndrimin e avionëve në Rinas. Sekuestrohet ora me vlerë rreth 20 000 euro.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Rinas, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, pas kallëzimit të depozituar nga një 30-vjeçar, se kushëririt të tij, i cili kishte udhëtuar nga Rinasi drejt Athinës, i kishin vjedhur një orë të kushtueshme të cilën e mbante në bagazhet e tij dhe vjedhjen e së cilës ai e kishte konstatuar në momentin kur kishte arritur në Athinë, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorit të dyshuar.
Si rezultat i veprimeve operative dhe procedurale të kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimeve, u arrit të identifikohet si autor i kësaj vjedhjeje, shtetasi K. Q., me detyrë punonjës i sektorit të ngarkim-shkarkimit të bagazheve, në vendqëndrimin e avionëve.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit K. Q., 24 vjeç, banues në Krujë, me detyrë punonjës për ngarkimin dhe shkarkimin e bagazheve, në aeroportin e Rinasit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua ora e dyshuar e vjedhur, me vlerë rreth 20 000 euro. Materialet i kaluan Prokurorisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.