Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 mund të jenë të fundit për kreun e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi. Ky i fundit ka bërë me dije në një intervistë të dhënë për “A2CNN” se do të futet i vetëm në zgjedhje dhe jo më si pjesë e listës së kandidatëve të Partisë Demokratike.
Edhe pse i vetëm, ai nuk i druhet garës elektorale dhe thotë se po humbi do të largohet nga politika dhe do të kushtohet librave.
Por gjithashtu shton se nëse largohet nga politika, ikën pa asnjë “pishman”, pasi si fitore ka faktin që kurrë nuk është thërritur nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
“Këtë punën e garës unë e kam sajuar dhe e kam fituar përherë këtë garë. I ftoj të gjithë, dua të hapen listat. I vetëm kam qenë përherë unë. Hyj në qytetin tim dhe marr votat e mia. Ky sistem i ka vendosur në rresht të gjithë që presin natën e zgjedhjeve të shohin se çfarë liste ka kryetari natën e fundit. Kjo është kohë e shëmtuar për demokracinë. Dhe kështu nuk kanë kurajo të ngrenë dorën kundër së keqes dhe e keqja na dominon. Po humba, iki more, shkruaj dhe unë libra, po më vjen mosha, unë jam 66 vjeç. Nëse shqiptarët nuk më votojnë, kjo tregon se ora ime politike ka mbaruar. Nuk më dashkan. Lodhu kot, fol sa të duash. Kush është motivi? Kjo është e pak rëndësishme. Largohem si burrat me nder. SPAK-u s’ka për të më thërrit ndonjëherë, derisa të më thërrasë ai sipër. Kam jetuar një jetë modeste, të ndershme dhe jam shumë krenar për këtë punë,”-tha ndër të tjera në fjalën e tij, Shehi.
Ndër të tjera në fjalën e tij, Shehi tha se mbështet votën e diasporës dhe shpreson se Rama mund t’i hapë rrugën kësaj çështjeje pas entuziazmit në Greqi e Milano.