UEFA ka nisur një procedim disiplinor kundër FSHF-së, për shkak të sjelljes që cilësohet e papërshtatshme nga ana e tifozëve të saj.
Sipas UEFA-s, tifozët shqiptarë kanë shkelur rregulloren, që nga hyrja e tifozit në fushën e lojës në minuta e fundit të ndeshjes, por edhe ndezja e fishekzjarrëve në tribuna apo edhe hedhja e objekteve.
Gjithashtu, pjesë e hetimit është edhe “transmetimi i një mesazhi provokues, i papërshtatshëm për evenimente sportive” nga ana e mbështetësve shqiptarë, mirëpo nuk është specifikuar për çfarë bëhej fjalë.
“Sipas informacioneve të së dielës, UEFA ka ngritur procedurë për hedhjen e sendeve në fushë, ndezjen e mjeteve piroteknike, hyrjen në fushë pa leje dhe përhapjen e një mesazhi provokues nga tifozët shqiptarë.
Zyra e kontrollit, etikës dhe disiplinës së UEFA-s do të shqyrtojë ngjarjet në ditët e ardhshme dhe do të vendosë për këtë çështje”, shkruan media zvicerane “Blick”.
“Tifozët shqiptarë ndezën një mjet tymues gjatë lojës. Pak para përfundimit të ndeshjes, një tifoz u fut në fushë me flamur shqiptar. Përveç kësaj, në tribuna valëviteshin disa flamuj të Shqipërisë së Madhe të ndaluar”, shkruan më tej gazeta.