Kryesore “Nuk u ndava për një grua tjetër!” Meta sqaron divorcin me Kryemadhin:...

“Nuk u ndava për një grua tjetër!” Meta sqaron divorcin me Kryemadhin: U bë pengesë për kauzat që unë mbroj

Një ditë pasi iu drejtuar Gjykatës së Tiranës për të zyrtarizuar divoricin me bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, Ilir Meta njoftoi anëtarët e Kryesisë së Partisë së Lirisë për problemin e tij familjar.

“Ky vendim ka qenë më i vështiri në jetën time”, tha fillimisht Meta.

“Është i motivuar, nga ndarje të papajtueshme, që lidhen me kauzat e mëdha që unë mbroj dhe që janë etike për Shqipërinë dhe shqiptarët, sot dhe përgjithmonë. Marrëdhëniet tona kanë pësuar një krisje të fortë që nga vendimi i saj si kryetare e LSI për djegien e 19 mandateve, që u morën me shumë sakrifica dhe me gjak”.

Në thelb të ndarjes qëndron ajo që dikur i bashkoi: politika.

“Qëndrimet e vazhdueshme sistematike të saj, krejtësisht në krah të kundërt, të kauzave që unë mbroj, dhe që krijojnë konfuzion dhe paqartësi në publikun e gjerë, duhet të merrnin fund. Dhe vendimi im i jep fund çdo paqartësie, dileme dhe stresi sistematik të panevojshëm”.

Meta mohoi që shkak për ndarjen të jetë tradhtia bashkëshortore.

“Nuk po ndahem me një grua, për një grua tjetër. Por, për të përmbushur kauzat që unë mbroj, dhe për të cilat kjo marrëdhënie ishte kthyer në një pengesë serioze”.

Një ndjesë pati për tre fëmijët që ka me Monika Kryemadhin si dhe për prindërit e tij.

“U kërkoj shumë ndjesë, tre fëmijëve të mi të mrekullueshëm, për shqetësimet që kanë përjetuar në mënyrë të padrejtë. U kërkoj ndjesë, edhe të gjithë njerëzve të afërm, sidomos dy prindërve të mi të mrekullueshëm, por ata më kanë edukuar me ndjenjën e detyrës, dhe unë besoj në mirëkuptimin e tyre”.

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë 26 vite martesë dhe tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë.