Pas 60 minutash Shqipëria do të zbresë në fushën e “Merkur Spiel Arena” të Duseldorfit për të luajtur fatet e Europianit, teksa një fitore përballë Spanjës do të mund të na çonte në 1/8 për herë të parë në histori.
Tekniku Silvinjo ka vendosur të bëjë vetëm një ndryshim në 11-en titullare që është fotokopje e asaj që hodhi në fushë përballë Kroacisë.
Ivan Balliu është e vetmja risi në formacion. Mbrojtësi i Rayo Vallecano do të startojë si titullar në mbrojtje duke i zënë vendin Elseid Hysajt në krahun djathtë.
Edhe pse pritej një ndryshim në sulm, me rikthimin e Armando Brojës, trajneri nuk ka lënë vend për surpriza duke i besuar sërish Rey Manajt fanellën e titullarit në skemën 4-2-3-1.
Formacioni i Shqipërisë: Thomas Strakosha, Ivan Balliu, Arlind Ajeti, Berat Gjimshiti, Mario Mitaj, Kristian Asllani, Ylber Ramadani, Qazim Laçi, Jasir Asani, Nedim Bajrami, Rey Manaj.
Asnjë surprizë nga ana e trajnerit spanjoll Luis De La Fuente, i cili nuk do të rrezikojë 11-en e tij titullare dhe do të zbresë në fushë me ekipin e stolit. Vetëm Aymeric Laporte do të luajë nga lojtarët që mposhtën Italinë, me Spanjën që zbret në fushë me 10 zëvendësues.
Zëvendësimi i liderit të mesfushës Rodri është automatik pas dy kartonëve të verdhë, të marrë prej tij në dy sfidat e para. Dy lojtarë që mund të startonin titullarë si qendërmbrojtësi Nacho dhe anësori Ayoze Perez janë gjithashtu të pasigurt për shkak të problemeve muskulare.
Formacioni i Spanjës: David Raya – Jesus Navas, Daniel Vivian, Aymeric Laporte, Alejandro Grimaldo – Mikel Merino, Martin Zubimendi, Baena – Ferran Torres, Joselu, Mikel Oyarzabal.