Pas dekretimit të zgjedhjeve për Bashkinë e Himarës nga presidenti Bajram Begaj, Fredi Beleri i kërkon Gjykatës Administrative të Tiranës të pezullojë dekretin e kreut të shtetit.
Në kërkesën drejtuar togave të zeza të kësaj gjykate, Beleri argumenton se, deri në shprehjen e gjykatës pas ankimimit të vendimit, kjo e fundit duhet të pezullojë zbatimin e aktit administrativ.
Sipas Belerit, dekreti i kreut të shtetit është në kundërshti me Kushtetutën, Kodin Zgjedhor, si dhe Kodin e Procedurave Administrative.
Më 5 korrik, Presidenti Bajram Begaj dekretoi 4 gushtin si datë për zgjedhjet e reja në Himarë, menjëherë pasi KQZ-ja vendosi heqjen e mandatit të Belerit si kryebashkiak i Himarës, pas dënimit të tij me 2 vite burg nga Apeli i GJKKO-së për korrupsion zgjedhor.