Ambasadori turk, Murat Ahmet Yörük dhe bashkëshortja e tij, zonja Ajshegyl kanë rrëfyer mbi stilin e tyre të jetesës si dhe kanë folur mbi përshtypjet që kanë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Në një intervistë për “Living”, ata kanë rrëfyer detaje nga jeta e tyre private.
“Që kur kam ardhur këtu, kam vënë re se shqiptarët janë shumë qejflinj, u pëlqen shumë të argëtohen. Madje edhe kafenetë hapen që në pesë e gjysmë të mëngjesit”, u shpreh zonja Ajshegyl për ‘Living’.
Pjesë nga intervista e ambasadorit turk dhe bashkëshortes së tij për Living:
Murat Ahmet Yörük: Unë dhe gruaja ime jemi ballkanas. Halla ime e madhe ishte e martuar me një shqiptar. Pra, bashkëshorti i hallës sime ishte shqiptar. Kështu që kushërinjtë e mi janë gjysmë shqiptarë dhe gjysmë turq. Kur më pyesni se si ndihem këtu, unë them “si në shtëpinë e kushërinjve të mi”, sepse kështu është. Burri i hallës sime ka jetuar në Tiranë. Ka punuar në oborrin mbretëror në periudhën e mbretërisë dhe ka qenë përgjegjës për mirëmbajtjen e oborrit. Ja pse kam lidhje me Shqipërinë.
Përtej kësaj, unë ndihem shumë mirë në Shqipëri. Nuk po e ekzagjeroj, por kur erdha në Tiranë, dola të shëtis nëpër rrugë të ndryshme dhe vura re shumë ngjashmëri me Turqinë. Për shekuj të tërë, të dyja vendet kanë bashkëvepruar.
Në sajë të këtij bashkëveprimi janë krijuar dhe shumë familje. Për këtë arsye, turqit dhe shqiptarët ngjajnë nga fizionomia. Prandaj nuk u habita shumë kur erdha në Tiranë.
Nuk mu duk sikur erdha në një kontinent tjetër, në një shtet tjetër dhe me një kulturë të ndryshme. Ndihem si në shtëpinë time dhe mendoj se në vitet pasardhëse, do të më duket sikur i përkas këtij vendi. Ndoshta mund të mendojmë edhe idenë për të marrë nënshtetësinë shqiptare. E them këtë, sepse ndoshta në fund të mandatit, do të ndihemi si banorë vendas, ja pse e përmenda nënshtetësinë. Kur mëson gjuhën e një kombi, afrohesh më shumë me atë vend.
Kur hamë mëngjes, flasim shqip me punonjësit tanë, sepse po përpiqemi të mësojmë gjuhën. Kur erdhët këtu, ju thatë se arrini të kuptoni dhe se dini disa fjalë. Kjo është shumë normale dhe e dini përse? Është e vërtetuar se gjuha turke dhe ajo shqipe kanë rreth 4500 fjalë të përbashkëta.
Në vitet 1970, albanologu dhe turkologu i famshëm dhe njëherësh historiani shqiptar, z. Tahir Dizdari, ka bërë një studim për këtë. Ai doli në përfundimin se në të dyja gjuhët janë rreth 4500 fjalë të cilat kanë të njëjtin kuptim.
Ka dhe një gjë interesante, gruaja e z. Tahir është turke nga Edirneja. Kështu që z. Tahir shkoi më pas në Edirne dhe jetoi e punoi aty për një periudhë kohe.
Cili është një element evropian që e keni gjetur ne Shqipëri dhe nuk e keni në Turqi?
Kultura e kafesë është shumë e rëndësishme në Shqipëri. Edhe ne kemi kafenë turke, por ju pini kafe që në pesë të mëngjesit. Që kur kam ardhur këtu, kam vënë re se shqiptarët janë shumë qejflinj, u pëlqen shumë të argëtohen. Madje edhe kafenetë hapen që në pesë e gjysmë të mëngjesit. Me sa kam parë, edhe makiatoja juaj në filxhan të vogël është shumë e famshme. Ne nuk pimë makiato atje, kemi vetëm kafenë turke. Pra, kultura e kafesë dhe pjesa e argëtimit është më e gjerë këtu sesa në Turqi.
Ne në Turqi e përdorim shumë çajin, ndërsa ju nuk e përdorni.
Madje bashkatdhetarët tanë disa ditë pasi vijnë në Shqipëri vijnë në ambasadë dhe kërkojnë çaj. Ne përgatisim çajin tonë të zi dhe kështu shuajmë mallin që kanë për çajin.