Politika Djegia e mandateve, grupi i Monikë përplaset me grupin e Metës?!

Djegia e mandateve, grupi i Monikë përplaset me grupin e Metës?!

Vendimi i kryedemokratit Lulzim Basha për djegien e mandateve të deputetëve të opozitës, ka shkaktuar një përplasje të fortë brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Thuajse të gjithë deputetët janë ndarë në dy grupe, në atë të kryetares së partisë, Monika Kryemadhi dhe në atë të ish-kreut të kësaj lëvizjeje, Ilir Meta, Presidenti i Republikës.

Për këtë çështje ishte caktuar edhe një mbledhje e grupit parlamentar, por për shkak të debateve të forta, ajo është shtyrë në orën 17:00.

Gazeta Shqip mëson se ka pasur një udhëzim nga ana e partisë për të bërë komente në rrjetet sociale nga deputetët e LSI-së. Këto komente duhet të përkrahnin propozimin për djegien e mandateve parlamentare.

Këtij vendimi, i janë bindur vetëm përkrahësit e Kryemadhit, si Kërpaçi, Gjosha, Braimllari e Mehmetaj.

Ndërsa, më herët, ashtu siç bëri me dije Gazeta Shqip, disa deputetë të tjerë, mes të cilëve Vangjel Tavo, Lefter Koka, Nasip Naço, Edmond Haxhinasto, Shezai Rrokaj, e Viktor Tushaj, duket se janë kundër këtij vendimi.

Këta deputetë, të cilët shihen më afër ish-kreut të partisë Meta, kanë argumentuar në debatet brenda grupit se nuk mund ta djegin mandatin, pasi përveç se humbin komunikimin me elektoratin, kanë investuar prej vitesh në politikë dhe në LSI.

Duke folur edhe njëherë për deputetët e Monika Kryemadhit, ata duken në një linjë me liderin e Partisë Demokratike, Basha.

Megjithatë, duke lexuar me kujdes deklaratat e tyre të shpërndara nga zyra e shtypit të LSI-së, asnjë nuk flet konkretisht për lënie të mandatit, përveç se janë në një linjë që regjimi i Ramës duhet rrëzuar me çdo kusht dhe mënyrë.

Deputeti Viktor Tushaj thotë se, “Ky Kuvend i marrë peng nga krimi i organizuar nuk është më vendi i kuvendimit. Arroganca e maxhorancës kriminale po fundos vendin”. Ndërkohë deputetja tjetër e LSI-së, Floida Kërpaçi thotë se “Ç’vlerë ka mandati kur ai helmon popullin e tij”.

Në të njëjtën linjë shprehet edhe deputetja Klajda Gjosha, e cila thotë se konsensusi i vetëm i opozitës është që të djegë qeverinë e dalë nëpërmjet zgjedhjeve të inkriminuara dhe vjedhjes së votës. “Shqiptarët meritojnë rikthimin e demokracisë së munguar”, thotë Gjosha në qëndrimin e saj.

Kejdi Mehmeti shkruan se, “Mandatet nuk janë të deputetëve, por të qytetarëve! Ata folën qartë dhe fortë ditën e shtunë. Kundër regjimit kriminal të Edi Ramës”.

Për Endrit Braimllarin, Edi Rama e ktheu Parlamentin në strehë të krimit të organizuar. “Ky Parlament është i krimit të organizuar dhe jo i qytetarëve. Këtij parlamenti i dhimbset më shumë kallcuku dhe kërpudha e Edi Ramës, se sa jeta e qytetarëve”, thotë ai./Burimi: Gazeta Shqip