Biznesi amerikan që operon në vendin tonë po shikon zhvillimet e situatës në Shqipëri, ku opozita ka deklaruar se do të djegë mandatet parlamentare.
Mark Crawford, president i Dhomës amerikane të Tregtisë thotë se, për pjesën politike do të jetë Ambasada e Shteteve të Bashkuara që do të japë mendimet e veta, por në aspektin ekonomik, mungesa e stabilitetit prek investimet.
“Çdo gjë që jep stabiliteti është një plus, çdo gjë që krijon një ambient që nuk është i qëndrueshëm është një minus. Kështu që kuptohet që investitorët mund të thonë ‘ok’, nuk dimë çfarë do të ndodhë, të presim! Nuk është se nuk do të investojmë, por do të presim. Ose siç e thashë përpara, nuk jam i shqetësuar për ata që janë këtu, ose për ata që ne e dimë që mund të vijnë këtu, por jam i shqetësuar për ata që nuk vijnë edhe ne nuk dimë që mund të kishin ardhur këtu”, tha Mark Crawford, president i ACC-së.
Krijimi i një imazhi pozitiv është detyrë e të gjithëve, shton Crawford.
“Jo vetëm qytetarët, por edhe politikanët të krijojnë një imazh pozitiv, se gjithmonë do të ketë mosmarrëveshje, qoftë në biznes, qoftë në politikë. Por, nëse mosmarrëveshjet krijojnë një prishje të qeverisë, është ndryshe nga situata. Kemi mosmarrëveshje tani në Amerikë, nuk është se do të prishin qeverinë. Do të presim derisa të kemi zgjedhje”, tha Mark Crawford./TCH