Choupette, macja 7-vjeçare dhe muza e stilistit gjerman, Karl Lagerfeld, mund të bëhet trashëgimtare e pasurisë së ikonës së modës. I pyetur se kujt do t’ia linte pasurinë e tij, kohë më parë, vet Lagerfeld kishte thënë: “Mes të tjerësh, edhe maces sime”.
“Mos u shqetësoni, ka mjaftueshëm për të gjithë”, kishte shtuar ai.
Në të vërtetë, macja e stilistit është një nga kafshët më të dashura dhe adhuruara në botë, me një stil jetese përrallor, me disa shërbyese përreth dhe me një famë jo të vogël që e ndjek. Në Instagram, Choupette ka më shumë se 170 mijë ndjekës dhe në Twitter 50 mijë të tjerë.
Në vitin 2016, në një intervistë për “Euronews”, Lagerfeld kishte shprehur adhurimin e tij për macen, duke thënë se “ajo është e jashtëzakonshme dhe e famshme”.
“Asnjëherë më parë në jetën time nuk e kisha menduar se mund të bija në dashuri me një mace”, kishte thënë Lagerfeld. “Ajo është e mahnitshme, me sytë e saj të mëdha që shkëlqejnë si safirë. E pellushi i saj është perfekt, sepse ajo ka disa shërbyese, ndaj nuk është asnjëherë vetëm”.
Macja në fakt ka qenë frymëzimi i Lagerfeld për koleksionin e vitit 2015, “Choupette në dashuri”. Vitin e shkuar, gazetarët i kishin kujtuar Lagerfeldit se, në Francë ku ai jetonte nuk lejohet ligjërisht t’i lihet pasuria një maceje.
“Fatmirësisht unë nuk jam francez”, ishte përgjigjur ai. E në fakt, në Gjermani nga ku Lagerfeld vjen, kjo është e mundur.