Kryesore Ministri i Jashtëm i Hungarisë: Të lumtur të kemi në BE vendet...

Ministri i Jashtëm i Hungarisë: Të lumtur të kemi në BE vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Shqipërinë

Shqipëria mban sot në Luksemburg Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian për hapjen e grup-kapitujve në kuadër të hapjes së procesit të negociatave për anëtarësim.

Ministri i Jashtëm i Hungarisë Peter Zijarto, e cila mban edhe Presidencën e radhës së BE-së, duke folur shkurtimisht për gazetarët në Luksemburg përpara nisjes së takimit, ka shprehur vlerësimet e tij për Shqipërinë.

Zijarto tha se prioritet i tyre ka qenë përshpejtimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe se janë të lumtur të kishin pjesë të BE vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos Shqipërinë.

Peter Zijarto, ministër i Jashtëm i Hungarisë: Kur ne e nisëm presidencën tonë të BE-së kishim një listë të prioriteteve. Ajo çka kemi vënë në krye të agjendës është përshpejtimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Në fakt jetojmë në të njëjtin rajon dhe e dimë se çfarë ndryshimi ka zhvillimi i këtyre shteteve në paqe dhe natyrisht që ne mund të ndihmojmë me zhvillimin e Ballkanit Perëndimor me zhvillimet paqësore në situatën e tyre. Kështu që do të ishim vërtetë të lumtur të kishim vendet e Ballkanit Perëndimor në BE, sidomos Shqipërinë. Jemi të lumtur që kjo po ndodh tani. Kjo është dhe falë Kryeministrit dhe kabinetit të tij sepse kanë bërë një punë të jashtëzakonshme.