Juventusi beson në përmbysjen e madhe. Pas humbjes 2-0 në “Wanda Metropolitano” kundër Atletico, në ndeshjen e parë të raundit të dytë të Ligës së Kampionëve, bardhezinjtë nuk konsiderohen “të vdekur”. Ata besojnë se mund të kualifikohen më tej në ndeshjen e kthimit, e planifikuar për më 12 mars, në stadiumin “Allianz” të Torinos. “Zonja e Vjetër” ka një detyrim për të besuar në përmbysje dhe do të përpiqet në çdo mënyrë për të. Këtu më poshtë janë 10 përmbysjet e ndodhura më parë në Ligën e Kampionëve, tek të cilat mund të frymëzohen kampionët italianë.
CHELSEA-BARCELONA (1999-2000)
Blutë fituan 3-1 në “Stamford Bridge” në raundin çerekfinal, por kthimi në “Camp Nou” rezultoi ndryshe. Katalanasit i trullosën londinezët, duke i mundur 5-1 dhe siguruar kualifikimin për në gjysmëfinale. Real Madridi triumfoi në atë finale ndaj Valencias.
MILAN-DEPORTIVO LA CORUNA (2003-2004)
Fitorja e Milanit në “San Siro”, në çerekfinalen e parë kundër Deportivo ishte me shifrat 4-1. Me siguri mbahen mend golat e Kaka, Pirlo dhe Shevchenko, pas atij të Pandiani, që zhbllokoi sfidën. Në duelin e kthimit në Spanjë, spanjollët fituan 4-0 dhe eleminuan formacionin e drejtuar nga Carlo Ancelotti.
REAL MADRID-MONACO (2003-2004)
Pas ndeshjes së parë në “Bernabeu”, me fitoren 4-2 të “Los Blancos”, në çerekfinale, skuadra e Principatës ia doli të përmbysë disfatën me fitoren 3-1 në Francë, dhe të kalojnë në gjysmëfinale. Kjo, falë golave të shënuar në transfertë. Pastaj, trofeun e fitoi Porto në finalen kundër Monaco.
BAYERN MUNICH-INTER (2010-2011)
Zikaltrit humbën 1-0 në “San Siro” kundër Bayern Munich, në raundin e dytë të Champions-it (2010-2011), në ndeshjen e parë. Në kthim i sulmuan bavarezët për të fituar me rezultatin 2-3. Goli i Pandev i shërbeu Interit për t’u kualifikuar më tej.
NAPOLI-CHELSEA (2011-2012)
Napoli i Mazzarrit e mundi Chelsea 3-1 në “San Paolo”, në ndeshjen e parë të 1/8 finale. Në Londër, megjithatë, Di Matteo dhe “Blues” fituan me të njëjtin rezultat në 90 minutat e kohës së rregullt. Në kohën shtesë, londinezët shënon dy gola më shumë, për ta mbyllur kualifikimin në çerekfinale me shifrat 5-1. Chelsea do ta fitonte trofeun përmes finales kundër Bayern Munich.
MILAN-BARCELONA (2012-2013)
Spanjollët e rikuperuan humbjen në “San Siro”, në ndeshjen e parë, ku vendosën golat e Boateng dhe Muntari. Kthimi në Barcelonë mbaroi me rezultatin 4-0 për katalanasit, të cilët përmbysën disavantazhin në fushën e kuqezinjve.
PSG-CHELSEA (2013-2014)
PSG u shpërblye në ndeshjen e parë, në Paris. Fitorja 3-1 e francezëve erdhi nga golat e Lavezzi, Pastore dhe David Luiz, ndërsa për “Blues” realizoi Hazard. Në “Stamford Bridge”, të besuarit e Jose Mourinhos treguan karakter, duke fituar 2-0, me golat e Schurrle dhe Demba Ba. Kaq mjaftoi që londinezët të kualifikoheshin në gjysmëfinale.
WOLFSBURG-REAL MADRID (2015-2016)
Real Madridi i Zidane humbi 2-0 në Gjermani, në ndeshjen e parë ndaj Wolfsburg. Në “Santiago Bernabeu” shpërtheu Cristiano Ronaldo, me një “hat-trick”. Fitorja 3-0 mundësoi përmbysjen dhe kualifikimin më tej të “Los Blancos”.
PSG-BARCELONA (2016-2017)
Ndoshta përmbysja më e pabesueshme në Ligën e Kampionëve, sezoni 2016-2017. “Pokeri” i PSG në Paris u bë i pavlefshëm në kthim, në “Camp Nou”. Ishte përmbysja më e çmendur e mundshme, teksa parizienët humbën 6-1 në kthim. “Remuntada” erdhi falë tre golave në minutat e fundit të ndeshjes: dopietë e Neymar dhe Sergi Roberto.
BARCELONA-ROMA (2017-2018)
Verdhekuqtë humbën 4-1 larg, në fushën e Barcelonës, në ndeshjen e parë çerekfinale, por goli i Dzeko në Spanjë do të ishte vendimtar për kthimin. Në “Olimpico”, në fakt, Roma e trajnerit Di Francesco përmbysi gjithçka me fitoren 3-0, ku golat e Dzeko, De Rossi dhe Manolas siguruan kualifikimin. Kryeqytetasit italianë “fluturuan” në gjysmëfinale, pas një ndeshjeje nga më të paharrueshmet e historisë së Ligës së Kampionëve.