Imazhi më i famshëm i mendjes më të madhe të historisë u shkrep në vitin 1951, komplet rastësisht. Ja historia
Albert Ajnshtajn tregon gjuhën me rastin e 72-vjetorit të lindjes
Më 25 korrik 2017 u zhvillua ankandi për atë që është ndoshta imazhi më i famshëm i Albert Ajnshtajn.
Shkencëtari i madh i tregon gjuhën fotografit Arthur Sasse, duke dalë më habitshëm sesa pritej.
Fotoja u shkrep më 14 mars 1951 me rastin e 72-vjetorit të Ajnshtajn dhe në pak muaj bëri xhiron e botës.
Madje edhe disa fitues çmimesh Nobel i kërkuan kolegut një kopje të fotos me autograf.
Nuk është hera e parë që printime të fotos me autografin e shkencëtarit kanë dalë në ankand. Më përpara kanë arritur edhe kuota të rëndësishme, si ajo e shitur në vitin 2009 për 74.324 dollarë.
Por në korrik të këtij viti u vendos një shifër rekord. Fotoja u ble për 125.000 $.
Po pse një personazh me ndikim dhe i respektuar pozoi në një mënyrë të pazakontë duke parasysh edhe vitet e zymta ’50?
Historia
Fotoja u bë në dalje të Princeton Club, ku një grup kolegësh kishte organizuar një festë për ditëlindjen e Ajnshtajn.
Arthur Sasse ishte njëri nga shumë fotografët që po prisnin që babai i teorisë së relativitetit të linte festën për ta fotografuar.
Kur e pa të hynte në makinë me Frank Aydelotte, drejtor i “Institute for Advanced Study” dhe bashkëshorten, fotografi i doli përballë duke i kërkuar me këmbëngulje të buzëqeshte për një foto të fundit.
Por Ajnshtajn që gjatë gjithë mbrëmje kishte dhënë qindra buzëqeshje dhe kishte pozuar për dhjetëra foto ishte dukshëm i lodhur. Për t’i treguar fotografit Sasse se nuk ishte më rasti ta ndiqte i tregon gjuhën.
Pra, asgjë e organizuar. Vetëm një veprim spontan që vite më pas shumë “vip-a” nisën ta imitonin përpara këmbënguljeve të paparacëve.
Kartolina
Jo të gjithë ishin dakord që fotoja të publikohej. Disa gazeta u menduan gjatë përpara se ta botoni.
Klima e zymtë e Luftës së Ftohtë dhe mekartizmi nuk ishin në favor të ironisë.
Por vetë Ajnshtajn ishte dëfryer nga fotoja dhe kërkoi disa kopje për përdorim personal. Pasi hoqi fytyrat e bashkëshortëve Aydelotte, bëri disa kartolina dhe ua nisi miqve.
Kontribut për suksesin e fotos pati ndoshta edhe fakti që Ajnshtajn vdiq 4 vite më vonë, më 17 prill 1955, në moshën 76-vjeçare duke i lënë botës kujtimin e një gjeniu absolut, por që ishte edhe simpatik dhe “njerëzor”./American Eye