Milan ka mundur 3-0 Empolin e Veseli-t dhe ka marrë fitoren e tretë radhazi në kampionatin italian. Kuqezinjtë, që mbajnë vendin e katërt me 45 pikë, kanë shkuar vetëm një larg Interit të vendit të tretë dhe katër larg Roma-s së vendit të pestë.
Tjetër ndeshje si titullar për Krzysztof Piatek dhe tjetër gol për polakun, i cili ka shënuar shtatë gola në pesë ndeshjet që ka luajtur nga minuta e parë me kuqezinjtë, katër prej të cilave në kampionat.
Duket se Milan ka realizuar goditjen e dhjetë viteve të ardhshme me blerjen e 23-vjeçarit nga Genoa, që është golashënuesi i dytë më i mirë i Serisë A në këtë sezon me 18 realizime, një më pak se kryesuesi Cristiano Ronaldo.
Gjithashtu, ai është bërë lojtari i parë i Milan-it që shënon gol në katër ndeshjet e para të luajtura si titullar që nga koha e Oliver Bierhoff, i cili e ka bërë këtë mes shtatorit dhe tetorit të vitit 1998-të.
Përveç polakut, protagonistët e tjerë të kësaj fitoreje bindëse të skuadrës së Gennaro Gattuso-s kanë qenë Franck Kessie, autori i golit të dytë, dhe Castillejo, autori i golit të tretë. Kuqezinjtë kanë shënuar edhe dy gola të tjerë me Paqueta dhe Borini, por që janë anuluar nga VAR-i.
Nuk ka patur shpëtim për Frederic Veseli-n me shokë, teksa Empoli mbetet në vendin e 17-të të renditjes, tre pikë larg zonës së rënies nga kategoria.