“2 gisht mjaltë” është filmi i shumëpritur nga publiku, ku në rolet kryesore do të jenë Elvana Gjata dhe Ermal Mamaqi.
Pas klipit të saj më të ri “Tavolina e mërzisë”, fansat e saj janë në pritje të premierës së filmit që u shty për shkak të largimit të Elvanës nga ekrani pas ngjarjes në zonën e ish-Bllokut, ku i përfshirë ishte dhe i fejuari i saj Ervin Mata.
Ndërkohë që filmi pritet lançohet shumë shpejt në kinematë e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, po zbulohen pak e nga pak detajet apo protagonistët e tjerë që kanë pranuar të bëhen pjesë e skenave komike të këtij produksioni, ku thuhet se trajtohet historia personale e dashurisë së saj, por me nota komike.
Vetë Ermali ka publikuar trailer-in në “Instagram”, i cili shfaqet plot ngjyra dhe humor. Por ajo që ka rënë në sy në një prej skenave është dhe prezenca e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Ai ka pranuar të jetë pjesë e skenës kulminante, ku Elvana ngjitet në altar me të dashurin e saj në film, Ermal Mamaqin, i cili në këtë rol quhet Ervin, njësoj si i dashuri i saj.
Ndërkohë që flitet që Elvana është ndarë nga i fejuari, duke hequr dhe unazën që mbante në gisht, publiku pret me kureshtje se si trajtohet kjo histori në skenarin e tij.
Me rikthimin e saj në skenën e Kosovës, Elvana Gjata dha intervistën e saj të parë për “Klan Kosova” pas ngjarjes në Bllok. “Mezi po pres të këndoj për të gjithë ju, të përqafohem dhe një herë me publikun dhe të jap shpirtin tim”, u shpreh ajo jo pak e emocionuar, pasi, sipas saj, emocionet për një artist vetëm shtohen me kalimin e viteve.
Në atë intervistë ajo foli dhe për filmin komik “Dy gisht mjaltë” me Ermal Mamaqin, ku u shpreh se për herë të parë do të ketë mundësi të shfaqë talentin si aktore, duke qenë se ajo ka mbaruar studimet e larta për regji. Duke mos përmendur datë për premierën (pas shtyrjes më 14 shkurt), Elvana e komentoi si një film shumë të bukur me momente nga realiteti i një çifti në ditët e sotme.
Ndërsa fillimisht, publikimi i tij më 14 shkurt u shty, nisën edhe komentet se shkak për këtë u bënë skenat e tij. Pavarësisht se dy protagonistët kanë ndarë shumë pak detaje prej tij në media, u përfol shumë tematika e filmit, në të cilën përfshihen edhe afera droge.
Ermali në film quhet Ervin, i cili në fakt është dhe emri i partnerit të Elvana Gjatës, që është i përfshirë në ngjarjen e rëndë të ndodhur më 4 tetor të 2018-s në ish-Bllok, ku mbeti i vrarë një person. Gjithashtu në një pjesë të filmit, Elvana mësohet se aksidentalisht ndodhet në një makinë ku kishte drogë dhe pasi pikaset, arrestohet nga Policia.
Si për ironi të fatit, ky skenar i paraprin problemeve të partnerit të saj Ervin Mata, ku shkak për mosmarrëveshjen e 4 tetorit të vitit të kaluar dyshohet se ishte një sasi e konsiderueshme kokaine. Edhe pse në filmin që u xhirua para ngjarjes ajo e finalizoi lidhjen e saj me martesë pasi shihet në altar, në jetën reale planet iu prishën nëse do u referohemi dëshmive të miqve të saj se ajo tashmë është ndarë nga i fejuari.
Panorama