Delegacioni prej 7 eurodeputetësh i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian që vizitoi pesë ditë më parë Shqipërinë dhe Maqedoninë ka arritur në një konkluzion të rëndësishëm për dy shtetet aspirante për t’u anëtarësuar në BE.
Delegacioni i PE-së i udhëhequr nga eurodeputeti Tunne Kelam thekson se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë përfunduar reforma substanciale nën kushte të vështira dhe se është shumë e rëndësishme që vendet e BE-së, duke marrë parasysh reformat e vështira, të njohin progresin e vazhdueshëm të bërë dhe të vendosin për të hapur negociatat e pranimit këtë vit.
Në të njëjtën kohë, misioni i bën thirrje dy shteteve të mos humbasin kohë dhe të fokusohen në reformat aktuale si reforma e drejtësisë, ekonomisë, sundimit të ligjit dhe administratës publike.
Angazhimi ndaj proceseve demokratike politike do të jetë me rëndësi të madhe në rrugën drejt hyrjes së tyre të mundshme në BE, komentuan deputetët e Parlamentit Evropian.
Eurodeputeti Kelam nënvizoi edhe një herë rrezikun e humbjes së mundësisë për çeljen e negociatave për shkak të krizës politike në Shqipëri.