Kritiku i njohur italian i artit, Vittorio Sgarbi komenton krizën politike në Shqipëri duke e krahasuar me një sfidë mes të vjetrës, duke nënkupruar qeverisjen Sali Berishës, dhe të resë, e cila sipas tij ka fytyrën e kryeministrit aktual Edi Rama.
Sgarbi njihet për afrimitetin e tij me kreun e qeverisë shqiptare të cilin më parë e ka kërkuar “si kryeministër” për vendin e tij, Italinë.
“Në Shqipëri ekziston një sfidë mes plakut (i cili vepron me arrogancë) dhe asaj të resë që ka fytyrën e kryeministrit aktual Edi Rama. Ashtu si të gjitha vendet e mëparshme të qeverisura nga regjimet komuniste për vite të tëra, kalimi në një qeveri demokratike, të zgjedhur lirisht nga votuesit, bëhet në mënyrë të pashmangshme mes dritës dhe hijes. Por nuk ka dyshim se veprimi qeveritar i kryeministrit aktual Edi Rama shënoi një ndryshim rrënjësor në rritjen politike dhe ekonomike të Shqipërisë”, u shpreh Vittorio Sgarbi.
Ai i bëri thirrje shtetit të tij të mos qëndrojë indiferent në këto momente, por të mbështesë procesin e reformave të Ramës.
“Italia nuk mund të shikojë se çfarë po ndodh përtej Adriatikut, por duhet të mbështesë procesin e reformave të Ramës“, përfundoi Sgarbi.