Kryedemokrati Lulzim Basha thotë se kryeministri Edi Rama ka shkuar në Itali për të kërkuar azil politik, dhe jo për të dhënë intervistë në një televizion të shtetit fqinj.
Gjatë fjalës së tij para protestës, Basha tha se për këtë i referohet burimeve nga vendet partnere.
“Burime mike thonë që ka shkuar të negociojë azilin politik”, deklaroi kryetari i PD.
Basha akuzoi kreun e qeverisë se me pushtetin kriminal dhe korrupsionin në qeveri, nuk do të ketë kurrë hapje të negociatave me Bashkimin Europian.
“Zëri juaj tashmë është dëgjuar, 10 ditë më parë opozita ju përgjigj diktatit të sovranit dhe unë kam sot nderin që në emrin e popullit të shpreh mirënjohjen time dhe të falenderoj nga zemra ata qindra patriotë, kandidatë të listës fituese, që djegin sot mandatin e tyre. Kjo është beteja për Shqipërinë e vlerave. Nuk ka Europë me Shqipërinë si Kolumbia, nuk ka integrim me korrupsionin në nivelet më të larta, nuk hapen dyert e Europës për hajdutët dhe kryehajdutin Edi Rama. Nuk e hap dot derën e Europës. Vetëm drejtësia e çliruar nga kjo bandë, vetëm ndarja dhe balancimi i pushteteve, vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme do ta hapin derën e Europës.
Ndaj imagjinoni një Shqipëri me qeveritarë të palidhur me krimin, me njerëz që vijnë në pushtet normalisht, qeverisin normalisht, nuk sillen me arrogancë, nuk ju dhunojnë, nuk ju vjedhin, dhe kur gabojnë shkojnë para drejtësisë. Imagjinoni një Shqipëri që paratë e taksave tuaja shkojnë për të rritur rrogat, pensionet. Imagjinoni një qeveri e cila nuk e ka Europën vetëm në majë të gojës, por veprimtarinë e saj të përditshme që nuk i përzë shqiptarët”, deklaroi ndër të tjera Basha.