Kryesore Ndryshon rrjedha e protestës, Basha i drejton në KQZ: Tradhtarët nuk do...

Ndryshon rrjedha e protestës, Basha i drejton në KQZ: Tradhtarët nuk do t’i falë historia

Lulzim Basha i ka quajtur tradhtarë kandidatët në listat e PD-së që kanë pranuar deri më tani mandatin e deputetit, pas dorëheqjes së opozitës së bashkuar.

Nga protesta para Parlamentit, Basha kërkoi mëshirën e Zotit për ta, pasi siç ai u shpreh, tashmë nuk kanë më fytyrë për t’i dalë shqiptarëve para.

“Tradhtarët që kurrë nuk do t’i falë historia. Zoti pastë mëshirë për shpirtrat e tyre, se fytyrë ata nuk kanë më para shqiptarëve”, u shpreh Basha.

Para mbështetësve të opozitës në protestë, lideri demokrat tha se vendimi për të djegur mandatet erdhi në përgjigje të një kërkese të heshtur qytetare.

Kryedemokrati Basha tha se Shqipëria nuk do të mund të integrohet në BE, nëse Rama është në pushtet.

“Nuk ka Europë me qeverinë e krimit, nuk ka integrim me korrupsionin në nivelet më të larta. Nuk hapen dyert e Evropës, për kryehajdutin Edi Rama. Maduro i Ballkkanit nuk e hap dot derën e Evropës, por ne do hapim derën e drejtësisë për të dhe bandën e tij hajdute. Nuk ka horr e hajdut t’na ndalë në këtë rrugë. Edhe më i fortë edhe më i vendosur se kurrë më parë do të marrë në dorë fatin e tij. dhe do t’i tregojë botës mbarë se hajduti që sot ja mbathi (për Ramën që u largua në Itali pas seancës), nuk është zot në shtëpinë tonë, madje nuk është zot as në shtëpinë e tij”, tha Basha.

Menjëherë pas këtij fjalimi, Basha ka tërhequr protestuesit drejt Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, aty ku tha se do të dorëzojnë në bllok dorëheqjet, kandidatët e PD-së në listat vijuese, për të refuzuar mandatet.