Gjykata e Katanias në Itali ka caktuar 12 marsin si datën e seancës së radhës për gjyqin ndaj grupit të vëllezërve Habilaj në Itali.
Burime të Ora News konfirmojnë se të martën e ardhshme do të zhvillohet seanca e rradhës ndaj të arrestuarve të bandës së Habilajve.
Në këtë seancë priten të marrin fjalën avokatët mbrojtës të personave të arrestuar, italianë e shqiptarë, të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge në vlerë 20 milionë euro, trafik ilegal armësh e organizim i strukturuar kriminal.
Në urdhër-arrestin e firmosur nga prokurorja Loredana Pezzini, në kuadër të operacionit ‘Rosa dei venti’, i cili është ekzekutuar në tetor të 2017, thuhet ndër të tjera se kjo bandë trafikantësh droge ishte ndërtuar mbi një organizim të strukturuar kriminal ku çdo anëtar i saj kishte një rol të caktuar.
Drejtuesi ishte Moisi Habilaj i ndihmuar nga vëllai i tij Florian Habilaj i thirrur me nofkën ‘Lolo’, i cili është shpallur në kërkim, si dhe nga kushërinjtë Meridan e Armando Sulaj, nga Nezar Seiti e Fatmir Minaj e nga shtetasit italianë Vincenzo Spampinato, Antonio Riela, Angelo Busaca, e Gianluca Passavanti.
Sipas hetimeve 5 vjeçare të Antidrogës së Katanias, grupi i Habilajve trafikonte nga Shqipëria në Itali sasi të mëdha droge në rrugë detare përmes automjeteve që tranzitonin me tragete përmes portit të Barit e Brindizit, si dhe me anë të gomoneve apo barkave të peshkimit.
Në dosjen e Prokurorisë së Katanias përmendet disa herë emri i ish-Ministrit të Brendshëm shqiptar Saimir Tahiri, i cili së fundi është dërguar në gjyq nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Tahiri përshkruhet si kushëri me vëllezërit Habilaj, me automjetin e të cilit tip Audi 8 rezulton të kenë mbërritur në Siçili Moisi Habilaj e Sabaudin Çelaj.
Seanca e fundit gjyqësore e bandës së Habilajve u mbajt me 10 dhjetor të 2018 ku prokurori Antonio Bonono kërkoi dënimin më të lartë për Moisi Habilaj me 18 vite e 8 muaj burg.
Për Meridian Sulaj 12 vite e 4 muaj burg. Për Nezar Seitaj i konsideruar financieri i këtij grupi trafikantësh, u kërkua dënimi me 6 vite burg. Ai aktualisht ndodhet në arrest shtëpiak me byzylyk elektronik.
Fatmir Minaj, pezullohet gjykimi ndaj tij e aktualisht është në gjëndje të lirë.
Antonio Riela 15 vite burg; Angelo Busacca 8 vite burg; Gianluca Passavanti 4 vjet e 20 mijë euro detyrim ndaj shtetit; Gianluca Spampinato 10 vite e 4 muaj burg; William Patane, Fabio Spampinato, Carmelo Bertolino, Enrico Maria Gianquinta, Massimiliano Brundo, Antonio Greco, Giuseppe Greco, e Rosario Giualiani 2 vite e 4 muaj burg e 6 mijë euro detyrim ndaj shtetit./ Ora News