Ajaxi i Amsterdamit kthehet ai i kohëve të arta. Harkëtarët pushtuan Santiago Bernabeun duke dhuruar spektakël dhe duke fituar me rezultatin e thellë 1-4 ndaj Realit të Madridit. Kampionët në fuqi të Europës mbetën jashtë Championsit që në fazën e 1/8-ave duke dorëzuar trofeun në mënyrë më të turpshme të mundshme.
Edhe pse kishte fituar 2-1 brenda në Amsterdam, Reali pa Ramos por edhe pa Marcelon e Iscon që nuk preferohen nga trajneri Solari, u shfaq një skuadër pa karakter dhe pa identitet. 4 gola të pësuar nga një Ajax i përbërë nga talente të reja por edhe nga futbollistë me eksperiencë brenda, por edhe shumë raste të humbura nga holandezët të cilët mund të kishin shënuar më tepër.
Reali i Madridit mbylli kështu këtë sezon pa asnjë trofe pasi në La Liga nuk ka më asnjë shans për të triumfuar ndërsa në Kupën e Mbretit u eliminua nga Barcelona dhe ky mund të konsiderohet edhe si fundi i një cikli për Los Blancos të cilët kanë nevojë për përforcime dhe prurje të reja.
Në fakt ndeshja nisi mirë për Los Blancos por traversa i tha jo golit të Varane dhe atë që se bëri mbrojtësi francez në sekondat e para e bëri Ziyech në minutën e 7-të, i cili me një goditje të bukur mposhti Courtois. Në të 18-ën pas një spektakli të dhuruar nga serbi Dusan Tadic i cili kaloi Casemiron me një veprim mahnitës, pasoi për David Neres me braziliani që realizoi edhe të dytin për Ajaxin. Dy zëvendësime te Reali për shkak dëmtimesh, me Bale e Asension që zëvendësuan dyshen Vasquez-Vinicius Jr. Pak minuta pasi kishte hyrë në fushë Bale u ndal nga shtylla, me Realin që nuk kishte as fatin me vete në këtë duel. Edhe fraksioni i dytë nisi më mirë për Realin por golin e realizoi Ajaxi me njeriun e ndeshjes Dusan Tadic, gol që u konfirmua nga VAR pas rreth 2 minutash për shkak se dyshohej për një dalje të topit në anësore. Në të 70-ën Asensio ngjalli një fije shprese për Los Blancos me golin e tij, por fitoren dhe eliminimin e Realit të Madridit e vulosi danezi Lasse Schone me një supergol nga goditja standarte disa minuta më vonë. Tashmë presidentit të Realit Florentino Perez nuk i mbetet gjë tjetër veçse të bëjë një revolucion të vërtetë te madrilenët pasi cikli fitues i kësaj skuadre ka përfunduar.
Në çerekfinalet e Champions League përveç surprizës Ajax u kualifikua edhe Tottenham Hotspur që falë një goli të Harre Kane triumfoi edhe në Dortmund ndaj Borussias, duke avancuar më tej me rezultat të përgjithshëm 4-0.