Aktualitet Shqiptarët bëhen europianë: 390 mijë persona kanë marrë nënshtetësi të BE-së

Shqiptarët bëhen europianë: 390 mijë persona kanë marrë nënshtetësi të BE-së

Ndërsa Shqipëria është një nga vendet më pro-europiane dhe po përpiqet me të gjitha forcat që të anëtarësohet në Bashkimin Europian, gjë që duhet ende shumë e largët, qytetarët e saj janë një hap para.

Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat dhe të përpunuara nga Monitor, që nga viti 2002 deri në 2017-n kanë marrë nënshtetësi në një nga vendet e BE-së 390,889 persona. Shqiptarët që kanë tashmë një pasaportë të BE-së përbëjnë rreth 14% të popullsisë që jeton aktualisht në Shqipëri dhe që sipas INSTAT vlerësohet në rreth 2.86 milionë banorë.

Shtetasit shqiptarë kanë filluar të marrin nënshtetësi të një vendi të BE-së përgjithësisht duke nisur nga viti 2008 (rreth 17 mijë), për të arritur në nivelin më të lartë në 2016-n, me rreth 67.5 mijë.

Gjatë këtyre 14 viteve, Greqia dhe Italia janë dy shtetet që kanë dhënë numrin më të madh të pasaportave për shqiptarët, nisur dhe nga numri i lartë i emigrantëve që kanë shkuar në këto dy vende pas viteve ’90. Në Greqi kanë marrë nënshtetësinë rreth 180 mijë shqiptarë dhe në Itali rreth 175.6 mijë.

Greqia ka filluar të japë nënshtetësi për shqiptarët që nga viti 2007 (me rreth 2500), por vitet e fundit e ka “lëshuar” dorën, duke dhënë në 2017-n një numër rekord prej gati 30 mijë nënshtetësish për shtetasit shqiptarë.

Italia dha për herë të parë rreth 4,500 nënshtetësi në 2008-n, dhe arriti rekordin në 2015-2016 me rreth 35-36 mijë pasaporta për çdo vit, për të rënë në 27 mijë në 2017-n.

Shteti i tretë më dorëlëshuar me nënshtetësinë ka qenë Mbretëria e Bashkuar, me rreth 11 mijë persona që kanë marrë pasaportë britanikë. Vitet e fundit Britania e ka ulur me tre herë numrin e pasaportave që jep për shtetasit shqiptarë (315 në 2017-n, nga rreth 1,400 në 2009-n).

Në vend të katërt është Gjermania, me rreth 6000 të tilla për 15 vjet, që jep më pak se 300 pasaporta në vit.

Më pas renditen Belgjika (5,582), Franca (3,746), Suedia (1,262), Austria (1,070), shkruan Monitor.