Paulo Dybala po përjeton ndoshta sezonin më të komplikuar, që kur ka mbërritur te Juventusi. Ai shënon më pak, nuk ka arritur ende shifra të dyfishta në këtë drejtim, ndërsa pozicioni i patundur i titullarit ka filluar të vihet në diskutim. Po kështu, edhe siguria e tij për të ardhmen bardhezi.
Sipas “Corriere dello Sport”, argjentinasi ka shumë tifozë, mbi të gjitha nga klubet jashtë vendit. Këtu përfshihen emra si Manchester City, Real Madrid, Liverpool dhe Bayern Munich. Madje, bavarezët ka disa kohë që e kanë vendosur “Joya” në krye të dëshirave për rindërtimin e skuadrës.
Klubi më i suksesshëm në Gjermani mund të ketë pasur kontakte me ish-lojtarin e Palermos në muajt e fundit. Radarët mbi talentin e Juventusit kanë qenë gjithmonë, por tani interesi ka të ngjarë të intensifikohet, sidomos në prag të një vere, që premton të sjellë revolucion në Bavari.
Përveç blerjes së bërë zyrtare tashmë të Pavard, sipas “Sportbild”, Bayern Munich ka në duar edhe Lucas Hernandez e Timo Werner për verën e ardhshme, përveç dëshirës për të rinovuar me Robert Lewandowski dhe të shtojë më shumë emra të spikatur.
Dybala mund të jetë “flamurtari” i ndryshimeve të verës në skuadrën e drejtuar nga Kovac. Sidoqoftë, për argjentinasin bardhezi interesohet edhe Pep Guardiola. Kërkesa e Juventusit për yllin e vet, nëse vendos ta shesë, vërtitet te 120 milionë euro.