I biri i të ndjerit Sokol Olldashi, Glauk Olldashi, 19 vjeç, ka folur për herë të parë në publik, ku ndër të tjera ka dhënë disa konsiderata për emrat kryesorë të politikës, por dhe ka shprehur ambicien që një ditë dhe ai të jetë pjesë e saj.
“Gjithmonë e kam pasur politikën pasion dhe e kam ndjekur nga afër ndonëse nuk jam prononcuar publikisht. Arsyeja pse kam vendosur të angazhohem politikisht është për shkak të situatës delikate në të cilën ndodhet Shqipëria sot.
Gjithashtu e shoh të udhës që brezi i ri të angazhohet për të ofruar zgjidhje të reja problemeve të vjetra që e kanë shoqëruar vendin tonë.
Në politikë, fjala është shprehje e mendimit dhe ajo vjen pas tij. Babai im e kishte vërtet këtë armë dhe ngelet për t’u parë nëse fjala ime ka apo do të ketë peshën e duhur në mjedisin politik shqiptar”, shprehet Olldashi Junior në një intervistë ekskluzive për Shqiptarja.com.
I kujdesshëm për të mos provokuar debat që në nisje të një protagonizmi publik, ai shprehet kështu për aktorët kryesorë politikë
Për Bashën: “Ndonëse nuk e njoh personalisht Lulzim Bashën, e vlerësoj për punën që ka bërë si kryetar i frontit opozitar në vend”.
Për Sali Berishën: “Zotin Berisha kam pasur kënaqësinë ta takoj në një moshë fare të vogël, por nuk mund të them që kam njohje personale. Respektoj kontributin e tij si themelues dhe lider historik të Partisë Demokratike dhe ndikimin e tij në progresin e shtetit shqiptar”.
Për Metën dhe Kryemadhin: “Me familjen Meta kam njohje personale të hershme kryesisht prej miqësisë që kam me djalin e tyre. Respektoj zotin Meta dhe zonjën Kryemadhi për përvojën e tyre politike”.
Për Edi Ramën dhe qeverinë e tij: “Do të ishte e vështirë që të ofrohej një analizë e plotë por nuk mund të mohohet progresi që ka bërë Shqipëria në këto vite. Nga ana tjetër, për sa i përket gabimeve, nuk besoj se mjaftojnë faqet e gazetës për t’i rradhitur të gjitha”.