Besime Imeri Ajeti, nëna e dy vajzave ishte e ftuar pasditen e sotme në “Ftesë në Pesë” me Bieta Sulon, për të treguar pasionin e saj për përgatitjen dhe dekorimin e ushqimeve, por mbi të gjitha për të ndarë historinë e saj të veçantë.
Pas lindjes së vajzës së parë, kur ishte ende në moshë të re, Besimja tregoi se nisi të përballej me një situatë të vështirë në jetën e saj, duke rënë në grackën e ankthit dhe krizave të panikut.
I gjithë presioni i shoqërisë ku jetonte, bënë që ajo të ndikohej më shumë seç duhej nga mendimet e të tjerëve dhe të harronte të kujdesej për veten.
Besimja pranoi se me pak trajtim dhe me shumë mbështetje nga bashkëshorti arriti ta kapërcente atë periudhë të vështirë, e tashmë prej një viti jeta e saj ka marrë një tjetër rrjedhë.
Ajo ka krijuar blogun e vet të ushqimeve, nga ku këshillon dhe frymëzon nënat si të kujdesen dhe si të ushqejnë fëmijët, sidomos ata që janë pak tekanjoz.
Gjatë bisedës thirrja e saj më e madhe ishte që gratë e zonjat që shqetësohen për punët e shtëpisë të mos bien pre e mendimeve të rrethit, por t’i përkushtohen familjes dhe vetes së tyre.
Ndaj intervista me të në këtë 8 Mars ishte provë e forcës së gruas dhe një modeli që ia ka dalë.