Gjiganti gjerman i prodhimit të makinave, BMW, deklaroi të premten se ishte eksportuesi më i madh i mjeteve motorike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të pestin vit radhazi, duke realizuar atje të ardhura me vlerë 8,4 miliardë dollarë vetëm në vitin 2018.
Kompania deklaroi se ka eksportuar 234 689 mjete të modeleve “X”, SUV dhe Coupe, të gjitha të prodhuara në fabrikën e saj në Spartanburg, në Karolinën e Jugut.
“Pavarësisht pasigurisë lidhur me tarifat e tregtisë, fabrika jonë në Spartanburg po kontribuon pozitivisht në bilancin tregtar të Shteteve të Bashkuara”, tha Knudt Flor, President dhe CEO i BMW.
Raporti vjetor del në një kohë kur Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do të rrisë tarifat mbi makinat dhe pjesët e importuara deri në 25%. Por prodhuesit e makinave paralajmërojnë se kjo lëvizje mund të dëmtojë ekonominë amerikane, pasi kompanitë do të duhet të ulin numrin e punëtorëve për të ruajtur fitimet.
“Partneriteti fantastik mes BMW dhe Karolinës së Jugut vazhdon të japë frytet e veta dhe kjo vërtetohet nga fakti që shteti ynë është lider kombëtar në eksportin e makinave”, tha Sekretari për Tregtinë në Karolinën e Jugut, Bobby Hitt.