Sport Sherri me presidentin Perez, Sergio Ramos drejt transferimit në Itali

Sherri me presidentin Perez, Sergio Ramos drejt transferimit në Itali

Mund të duket si një fantazi, por ashtu dukej edhe një vit më parë kur u shkruajt për herë të parë për transferimin e Cristiano Ronaldo nga Real Madrid te Juventusi. Transferim që u konkretizua shumë shpejt. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe këtë verë dhe ai që mund të bëjë të njëjtin udhëtim është kapiteni legjendar i skuadrës “merengues”, Sergio Ramos.

Mbrojtësi 32-vjeçar, pas sherrit që pati me presidentin e ekipit Florentino Perez, pas eliminimit nga Champions League, duket se po sheh mundësinë për të luajtur në një ekip tjetër sezonin e ardhshëm. Shpesh mbrojtësi ka vënë veton e tij në lidhje me merkaton dhe duket se Ramos nuk e ka pëlqyer idenë që në ekip të rikthehet si trajner portugezi Jose Mourinho.

Ardhja e Mourinho do të përshpejtonte largimin e Ramos, që ndodhet në Madrid prej vitit 2005. Marrëdhënia mes kapitenit të “los blancos” dhe trajnerit portugez nuk është e mirë, ndaj ka gjasa që divorci të jetë i paevitueshëm. Mourinho shihet si kandidati kryesor për t’u ulur në stolin e Real sezonin tjetër, gjë e cila nuk pëlqehet nga Ramos e disa lojtarë të tjerë.

Sipas mediave spanjolle, Sergio Ramos, 416 ndeshje e 59 gola me Real Madrid, i ka kërkuar ndihmë menaxherit Jorge Mendes t’i gjejë një ekip tjetër. Mendes është menaxheri i CR7, që kreu transferimin e sulmuesit portugez te Juventusi një vit më parë. Duket se Ramos kërkon që menaxheri të hyjë sërish në bisedime me bardhezinjtë, për të kaluar edhe ai te kampionët e Italisë.