E hëna është një ditë pambarimisht e keqe. Këtë e thotë edhe shkenca. Shumëkush kërkon të kalojë nga e diela në të martë dhe ka plot 6 arsye.
1- Jashtë orarit. Truri ynë është skllav i ritmit cirkadian, mjafton një spostim i orës së zgjimit për të na futur në letargji dhe në dëshpërim (e kuptojmë mjaft mirë në mars kur ndryshon ora). Meqë shumica prej nesh nuk fle mjaftueshëm gjatë javës përfitojmë në fundjavë për të rifituar ato orë të çmuara gjumi. Mjaftojnë dy ditë për të rregulluar bioritmin tonë me një orar më të qetë që gjatë javës nuk e ndjekim dot. Të hënën në mëngjes kur bie zilja për trupin tonë mbërrin kthimi i ashpër në normalitet dhe tri orët e së dielës shërbejnë si një “jet lag” që na le në konfuzion dhe me humor të hidhur sikur të kishim kryer një fluturim ndërkontinental.
2- Mungesa e bisedave. Pas dy ditësh shkëputje e hëna në mëngjes ka nevojë për ndonjë bisedë më shumë për ta filluar ditën. Nëse mbërrini në punë me vonesë, mund të jeni me humor të ulur për shkak të mungesës së socializimit. Njeriu është një kafshë sociale dhe këto thashethemet aty tek makina e kafesë edhe pse s’mund të jenë maksimumi, përforcojnë ndjesinë e përkatësisë së një grupi dhe japin karikimin për t’u përballur me punën e grumbulluar. Disa kërkime të psikologjisë sociale pohojnë se buzëqeshja e së hënës vjen vonë rreth orës 11:16, kohë e mirë për një kafe.
3- Nga yjet në stalla. Ajo që ndikon mbi perceptimin e së hënës është edhe ndryshimi i ashpër me një ditë më parë. Kaloni nga një ditë plotësisht me relaks, kushtuar miqve, familjes, hobeve në një ditë plot punë. Kjo lloj shkalle do të ndikojë në gjykimin tuaj mbi këtë ditë edhe pse e marta, e mërkura dhe e enjtja janë po kaq të shpifura (e premtja mbetet jashtë këtij përfundimi, mund të na ndodhë diçka më e madhe dhe përsëri do ia dalim pasi kemi fundjavën përpara).
4- Ndiheni copë-copë. Ndoshta keni të drejtë. Pas dy ditë me darka dhe vese, me ndonjë gotë dhe shumë cigare edhe organizmi vuan e kështu s’mund të ndiheni në formë. E hëna është edhe një ditë e mirë për dieta, regjistrime në palestra, dorëzime të vonuara, gjithçka pozitive që mund të krijojnë pak ankth në rendiment.
5- Më pak shëndet. Kjo ndodh për shkak të stresit të kthimit në punë, nga mungesa e gjumit ose nga veprimtaritë e tepërta gjatë fundjavës. E hëna është një ditë e zezë për sëmundjet. Studimet shkencore tregojnë se mëngjesi i së hënës ka rrezik për infarkt tek subjektet e predispozuara me 13% më shumë (sidomos në dimër kur errësira e mëngjesit na tregon se duhet të flemë). Ditën e hënë, edhe tek njerëzit e shëndetshëm, pesha dhe tensioni i gjakut janë më të lartë se gjatë javës.
6- Nuk ju pëlqen puna juaj. Nëse kjo ndjesi ju shoqëron që të dielën në darkë ndoshta nuk jeni të kënaqur me punën tuaj. Një fakt ky që nuk fal dëshirën për t’u kthyer në punë ose të përballoni javën. Kjo do të jetë edhe arsyeja se pse, sipas një sondazhi amerikan, 37% e kurrikulave dërgohet ditën e martë. Pas një të hënë për t’u harruar merret situata në dorë dhe provohet të ndryshohen gjërat. Në vitin 1987 Vasco Rossi e kishte cekur këtë argument të së hënës me më pak fakte shkencore, por mjaft filozofike dhe ekzistenciale.