Extra Nga Venecia në Antarktidë: 7 vende që duhet t’i vizitoni para se...

Nga Venecia në Antarktidë: 7 vende që duhet t’i vizitoni para se të zhduken

Venecia në Itali

Në listën e gjërave që doni të shihni me siguri do të jenë vende që i keni parë në internet apo vende të mrekullueshme të cilat jua kanë këshilluar miqtë tuaj.

Por përse të mos krijoni një listë me vende që duhet t’i shihni në bazë të kohës në dispozicion? Në botë, ekzistojnë shumë vende të cilat duhet t’i shikoni para se të zhduken përgjithnjë.

Këshilla jonë është që të kapni çastin dhe ta programoni udhëtimin tuaj në një nga këto destinacione.

Cape Town

Kohët e fundit po flitet shumë për reduktimin e faunës afrikane. Gjuetia dhe shkatërrimi i mjedisit shkaktojnë një rrezik të madh për speciet autoktone dhe ekosistemin e tyre. Si një turist i ndërgjegjshëm është mirë të organizoni një eko-safari në këtë vend. Provoni Kensington Tour, që është i përsosur për të gjithë familjen, në një aventurë që eksploron Cape Town, Cape Winelands e Table Mountain dhe të shihni kafshët më të bukura të planetit.

Yosemite National Park

Parku ikonë në Kaliforni, ku një herë e një kohë sekuojat e larta si qiellgërvishtës dhe gjelbërimi linin turistët me gojëhapur, sot nuk i kënaq pritshmëritë. Klima dhe degradimi po e shkatërrojnë këtë bukuri natyrore. Për fat të mirë, ekzistojnë disa nisma për mbledhje fondesh për t’i rikthyer shkëlqimin këtij parku. Edhe ju mund të jepni ndihmën tuaj, duke blerë një fotografi të parkut të Yosemite, paratë do të shkojnë në arkat për ruajtjen e parkut.

Venecia

Si mund të mos e përmendim Venecian, një qytet kaq i bukur, të cilin e ka zili e gjithë bota. Edhe këtu, problemi është numri i madh i turistëve që e vizitojnë dhe tashmë ka më shumë turistë se banorë. Ndryshimet klimatike, metodat e peshkimit industrial dhe kroçerat shkatërrojnë kanalet dhe bukurinë e qytetit.

Machu Picchu

Në malet e largëta të Andeve në Peru, ky peizazh është i mrekullueshëm. Natyra magjike dhe mistike e këtij vendi të shenjtë përshtatet në mënyrë të përkryer me një atmosferë paqësore. Çfarë e shqetëson ekuilibrin e këtij vendi? Turizmi agresiv, pa kontroll. Fatmirësisht sot ju mund ta vizitoni Machu Picchu vetëm në grupe me pak njerëz, duke respektuar mjedisin dhe me mjete transporti ekologjike.

Muri Kinez

Nëse nuk e keni bërë ende, ka ardhur momenti për një udhëtim në Kinë dhe të vizitoni Murin Kinez. Për fat të keq, numri i madh i turistëve po e shkatërron këtë bukuri arkitekturore. Madje ekziston edhe një treg i paligjshëm për ripërdorimin e tullave të murit për të ndërtuar ndërtesa të reja. Ju këshillojmë të shkoni në grupe të vogla për ta shijuar sa më shumë shëtitjen në këtë strukturë mbresëlënëse.

Barriera me korale në Australi

Barriera e madhe me korale në Australi është viktimë e ngrohjes globale të temperaturave të oqeaneve. Uji më i ngrohtë, për shembull, e bën më të bardhë koralin, një element i rëndësishëm për ekosistemin tonë. Kjo parajsë për ata që bëjnë zhytje mund të mbrohet nëpërmjet një turizmi të qëndrueshëm. Kapni çastin, barriera është e destinuar të shkatërrohet gjithnjë e më shumë për fat të keq.

Antarktida

Koha për të vizituar këtë vend magjik është tashmë, pasi shkrirja e akujve është një rrezik i vazhdueshëm. Ju mund ta vizitoni me kroçerë apo me helikopterë – një aventurë që ia vlen një herë në jetë për kuptimin e saj – të shohësh planetin që ndryshon për fajin tonë.