Në Ditën e Verës, Monika Kryemadhi nuk shmangu komentet për situatën politike në vend.
Në një deklaratë për mediat kryetarja e LSI tha se politika shqiptare nuk ekziston.
“Mund të them që kjo ditë nuk ka lidhje fare me politikën, politika nuk ekziston më se po të ekzistonte politika në Shqipëri, sot ne do të kishim, institucionet e ngritura në këmbë, do të kishim gjykata, do të kishim gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, do të kishim një Parlament legjitim, do të kishim një klasë politike të përgjegjshme, do të kishim një ekonomi më të mirë për shqiptarët, do të kishim mundësi më të mira për shqiptarët, arsimim më të mirë, shëndetësi më të mirë, taksa më të ulëta, energji elektrike më të lirë, çmime më të ulëta dhe do të kishim më shumë vende pune për shqiptarët, po të ishte politika, politika do të kishte menduar për këtë gjë, por pikërisht sepse nuk ekziston politika sepse politika ka dal nga shinat e saj, politika ka menduar vetëm për një grup njerëzish.
Sot nuk ka politikë, politika nuk është as e ngrirë dhe as e shkrirë”, tha Kryemadhi.
Ndërsa uroi shqiptarët: “Dita e verës që simbolizon ringjalljen e jetës, të ringjallë akoma më shumë dëshirën, shpresën për shqiptarët, për të qëndruar në Shqipëri, për të punuar dhe për të ndërtuar shtëpinë e tyre në Shqipëri ashtu siç kanë ëndërruar dhe ëndërrojnë gjithmonë.
Uroj që këtë ditë vere shqiptarët të jenë më të paqtë, por të jenë dhe më të vendosur për të vendosur drejtësinë për veten e tyre dhe për familjet e tyre. Në këtë ringjallje të jetës që simbolizon Dita e Verës, të ringjallet edhe politika, të ringjallen vlerat, të ringjallen parimet dhe të ringjallen ato principe për të cilët shqiptarët aspirojnë dhe çdo njeri nga ne do të dëshironte ti zbatonim tek fëmijët e tyre.”