Juventus-Ajax, një çerekfinale me shumë histori. Tifozët bardhezi nuk mund të mos e kujtojnë fanellën blu me yje, atë të veshur në finalen e 1996-ës të luajtur në Romë. Ajo që u vendos nga penalltitë dhe që u fitua nga Juventus-i i Lippi-t, Del Piero-s, Vialli-t dhe Ravannelli-t kundër kampionëve në fuqi të Ajax-it.
Ka qenë një mbrëmje e paharrueshme edhe për humbësit. Një nga ata ka qenë Edwin van der Sar, i cili mbronte portën e holandezëve dhe që nuk arriti të ndalte penalltinë e Jugovic, atë që i hapi rrugën festës së bardhezinjve. Vitin pasues, në gjysmëfinale, dy skuadrat janë përballur përsëri. Dy fitore për Juventus-in.
Me pak fjalë, torinezët nuk i sjellin fat ish-portierit. Kjo është konfirmuar edhe gjatë eksperiencës së tij në Torino. Holandezi, në fakt, është transferuar te “Zonja” pak vite më mbrapa dhe ka marrë vendin e një ikone si Angelo Peruzzi, i cili u transferua tek Inter-i. Van der Sar ka kaluar dy sezone intensive në Itali, të dyja me Carlo Ancelotti-n në stol. Ish-lojtari dhe trajneri janë bërë pjesë e historisë së klubit, por për arsyet e gabuara.
Në sezonin 1999-2000, “Zonja” ka shpërdoruar një avantazh të rëndësishëm në renditje ndaj Lazio-s dhe ka humbur titullin në javën e fundit, me Ancelotti-n që është konsideruar fajtori kryesor i atij dështimi. Në vitin pasues ka qenë radha e portierit. Ndeshja e luajtur në “Delle Alpi” kundër Roma-s ka qenë vendimtare për titullin. Bardhezinjtë kanë qenë në avantazh 2-0, por më pas u shfaq Nakata. Japonezi ka ngushtuar në fillim diferencat në 2-1 dhe më pas ka bërë gjuajtjen që çoi te goli i barazimit 2-2 të realizuar nga Montella, me këtë të fundit që ka përfituar nga një kontroll i gabuar i portierit holandez.
Van der Sar është larguar nga Tprino për t’u transferuar te Fulham, por më pas ka qenë Ferguson që i ka dhënë besim. Me United ka fituar një Champions tjetër përveç asaj të 1994-ës, këtë herë si hero, në mbrëmjen e Moskës që është mbyllur gjithashtu me penallti. Me Juventus-in nuk u përballur më, por ai vazhdon të mbahet mend nga populli bardhezi si portieri “i gabuar”, ai që nuk arriti të bënte të zëvendësonte denjësisht legjendën Peruzzi. Madje, edhe Szczesny është krahasuar me Van der Sar.
Holandezi tani mbulon rolin e drejtorit të përgjithshëm të Ajax-it, kundërshtari i ardhshëm i Juventus-it në Champions League. Një mundësi e artë për ish-portierin për të marrë një revansh ndaj bardhezinjve. “Ronaldo tek Juventus? Më duket e çuditshme”, ka thënë ai në korrik. Kushedi çfarë do të mendojë kur ta shikojë përballë ekipit të tij në çerekfinale…