Në mbyllje të protestës në selinë e Partisë Demokratike, Lulzim Basha kishte një mesazh për ndërkombëtarët.
Ai tha se nuk do të ketë stabilitet në Shqipëri pa demokraci.
“Sot përshkallëzoi dhunën e paprovokuar ndaj protestuesve për t’i shpërndarë për ti trembur nga rruga e protestës dhe përgjigjen e mori nga populli. Zotohem para jush se do të marrin përgjegjësi përpara ligjit. E gjithë Shqipëria dhe bota e ka parë sot vendosmërinë e një populli të bashkuar për liri dhe demokraci për ti dhënë fund pandëshkueshmërisë së Ramës dhe klikës së tij. Pa ju, pa zemrat tuaja, kreshnike, ju o viganë mbrojtës të lirisë dhe demokracisë ky vend do të ishte rreshtuar krah popujve pa liri. Ne e kemi ndalur dhe do ta hedhim në lum qeverinë e tij kriminale dhe parlamentin e tij të krimit. Nuk ka rrugë tjetër përveç protestave popullore.
Jemi shumë më shumë sot në 16 mars. 16 shkurti i hapi rrugën një vërshimi popullor që nuk do të ndalet por do të vijojë kundër grushtit të kriminelëve në pushtet”, tha kreu i PD.
Në fund të fjalës së tij, Basha pati edhe një mesazh për faktorin ndërkombëtar, që thuajse gjatë gjithë kohës, ka mbajtur një qëndrim kundër me atë të Partisë Demokratike dhe frontit opozitar.
“Dua ti dërgoj një mesazh të qartë miqve tanë perëndimorë. ‘Nuk ka stabilitet pa demokraci’. Mos dëgjoni Ramën, por zërin e njerëzve dhe të qytetarëve. Kjo që kemi nisur nuk do të zvogëlohet. Ne nuk do ta ulim kokën dhe nuk do ta pranojmë ti themi legjitime një qeverie të lidhur me krimin”, tha Basha.