Trajneri i Milanit, Gennaro Gattuso pas humbjes në derbi me Interi u shfaq mjaft i mërzitur dhe i irrituar nga përplasja mes Franck Kessie dhe Lucas Biglia në stol, madje edhe më shumë se disfata 3-2 në “San Siro” kundër zikaltërve.
Për të shuar “sherrin” mes 22-vjeçarit nga Bregu i Fildishtë, Kessie, dhe argjentinasit 33-vjeçar, Biglia, u desh ndërhyrja e shokëve të skuadrës. Kessie, i cili u zëvendësua në pjesën e dytë, u irritua për diçka që tha Biglia nga pankina e në përpjekjen e tij për t’iu kundërpërgjigjur argjentinasit u ndal nga shokët e skuadrës.
“Më shumë se humbja më lëndon ajo që ndodhi në stol. Nuk mund ta pranoj atë që ndodhi, të paktën për mënyrën sesi e shoh unë futbollin, grupin dhe etikën në skuadër. Këtu duhet shfaqur respekt për cilindo, ndaj ajo që ndodhi ishte e papranueshme. Për mua është një humbje e dyfishtë, për të cilën do të them edhe unë fjalën time në ditët në vijim”, tha Gattuso pas ndeshjes.
Të dy lojtarët kërkuan falje më vonë për mediet italiane, por veprimi i tij nuk e zhbën imazhin që keq që përcollën me gjestin e tyre.
“Ishte çështje adrenaline dhe situata momentale e ndeshjes. U mërzita për zëvendësimin, sepse doja të jepja ende për skuadrën. U kapa me Lucasin dhe ishte gabim, ndaj kërkova falje më pas,” – u shpreh Kessie, ndërsa Biglia deklaroi: “U ndiem realisht keq për atë skenë shqetësuese”.
Megjithatë, tensionet nuk munguan as në fushën e blertë. Mbrojtësi Andrea Conti, që zëvendësoi Kessie-n në minutën e 69-të, u ndëshkua fillimisht me karton të kuq për një ndërhyrje ndaj Lautaro Martinezit, por sistemi VAR detyroi arbitrin të ndryshonte mendim dhe ta ndëshkonte vetëm me karton të verdhë.
Edhe trajneri i Interit, Luciano Spalletti e përfundoi para kohe takimin, i ndëshkuar me të kuq në minutat shtesë për mospajtim me vendimet arbitrare.