Nga Miron Çako*
“Unë mendoj, prandaj ekzistoj”, thotë filozofi i njohur francez Rene Dekart (1596-1650). Njeriu, ndryshe nga kafshët, është një qenie intelektuale e arsyeshme. Kjo e bën të vetëdijshëm, të ndiejë, të mendojë dhe t’u japë kuptim gjërave. Mendimi e lartëson në komunikim me Qenien e pakrijuar super intetelektuale, Perëndinë, dhe engjëjt që janë qenie intelektuale të krijuara, ashtu si na thuhet: “çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh? Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se Perëndia, dhe e kurorëzove me lavdi dhe me nder. E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij” (Psalmi 8:3-6).
Njerëzve mendimet zakonisht u vijnë nga informacioni që marrin nëpërmjet shqisave, si: shikimi, dëgjimi, nuhatja, shijimi, prekja dhe nga kujtimet, fantazia, ëndrrat. Këto mendime janë të mira ose edhe të liga kur janë shqetësuese, të pakëndshme, të turpshme, të neveritshme, perverse, të frikshme, që shoqërohen me fantazi të shfrenuar dhe ndjesi trupore të pazakonta. Lista e mendimeve të tilla është shumë e gjatë dhe në qoftë se do të flisnim me detaje, nuk do të gjenim fjalë dhe guxim për t’i përshkruar ato.
Përveç mendimeve të liga që burojnë nga brenda psikikës sonë, ka edhe mendime të tilla që na shfaqen papritur dhe ngjajnë si shigjeta të cilat godasin mendjen tonë. Në shumicën e rasteve ato kalojnë shpejt, ashtu si kalojnë makinat në autostradë, por problemi është kur këto mendime të liga stacionohen në tru dhe kthehen në një fiksim të pamenaxhueshëm.
Këto mendime të liga që godasin psikikën tonë pa mëshirë, krijojnë një problem të madh psikologjik, neveri dhe urrejtje për veten, frikë, ankth dhe lodhje mendore, deri në depresion me rrezikun e nënshtrimit, duke na bërë qenie të varura, të poseduara nga mendimi i lig, që mund të humbasim kontrollin, madje t’i bëjmë keq vetes edhe tjetrit, ose të bëhemi të paaftë për një jetë normale. “Besimi në mendime negative është pengesa e vetme më e madhe për suksesin”, thotë shkrimtari Charles F. Glassman.
Njerëzit kanë ndrojtje t’i shfaqin këto mendime te të tjerët dhe i mbajnë përbrenda, por edhe kur i shprehin ato në konsultë me mjekun psikiatër apo psikologun, përsëri e kanë të vështirë të lirohen prej tyre, edhe pse marrin këshilla që të mos u japin rëndësi, së bashku me qetësues antidepresivë.
Psikologët këshillojnë: “Kur na vijnë mendime negative, t’i bëjmë vetes këto 7 pyetje: Nga vjen ky mendim? A e kam pasur herë tjetër këtë mendim? Më pëlqen ky mendim? Më bën të ndihem mirë ky mendim? Më ndihmon ky mendim? A e kam kontrollin e mendimeve të mia? Dëshiroj ta mbaj këtë mendim apo ta refuzoj?” (Patricia Harteneck, psychologist on Psych Central Community Connection, Massachusetts, USA).
Shkenca e psikiatrisë dhe e psikologjisë i shikon mendimet si produkt të trurit, që prodhohen nga reaksione kimike të transmetuara nëpërmjet neuroneve. Ato mendojnë se këto mendime të liga janë një normalitet: “Ne kemi të drejtë të ëndërrojmë për gjëra të mira dhe të këqija. Fakti është se këto mendime dhe imazhe janë manifestime të gjendjeve normale emocionale. Shumica e njerëzve nuk i vënë në dyshim ato dhe thjesht vazhdojnë me jetën e tyre. Ata i lënë fazat emocionale të kalojnë. Për të tjerë, këto mendime shkaktojnë një sërë pyetjesh dhe supozimesh që mund t’i torturojnë ata” (Dr. ZA A clinician’s take on psychopathology, human nature, and life “Douglas institute”).
Por shkenca e teologjisë ka një këndvështrim tjetër për mendimin, sepse ka ndryshim në mënyrën se si shikohet dhe hulumtohet njeriu, kjo qenie mendore. Për teologjinë e krishterë, njeriu nuk është thjesht një kafshë me instinkte, prodhuar nga rastësia e përzgjedhjes natyrore ose evolucioni i rastësishëm, por është një qenie psiko-somatike, me dy natyra shpirt-trup, i krijuar drejtpërdrejt nga Perëndia Krijues, me një dashuri dhe përkujdesje të veçantë, për një qëllim shumë të madh në rendin e krijimit. Ja si e përshkruan i madhi shën Grigor Theologu(329-390) krijimin e njeriut me dy natyra, materiale dhe shpirtërore: “Por, si një shenjë e një diturie të madhe dhe e mirësisë së Perëndisë ndaj natyrave të krijuara, ishte gjithashtu e nevojshme që të krijonte një qenie të gjallë, unike nga dy natyrat – e dukshme dhe e padukshme -, dhe Ai krijoi njeriun, duke ia bërë trupin nga materia, tashmë e krijuar, dhe duke i dhënë frymë nga vetvetja e duke e bërë shpirt të arsyeshëm dhe ikonë të Perëndisë, si një lloj bote e dytë. Ai e vendosi atë të madh në të voglën tokë… mbret të gjithçkaje mbi tokë, por nën Mbretin e sipërm; tokësor dhe qiellor, kohor dhe përsëri të pavdekshëm, të dukshëm por përsëri shpirtëror, duke kombinuar në një person frymë dhe mish”. Kurse shën Joan Damaskini(674-749) e përmbledh konceptin për shpirtin me këto fjalë: “Shpirti është esencë e gjallë, e thjeshtë, pa trup, i padukshëm për sytë truporë, i pavdekshëm, i arsyeshëm, pa formë, ai përdor trupin organik dhe i jep jetë atij, rritje, ndijim dhe lindje. Ai zotëron intelektin, jo si diçka që është e huaj për të, por si pjesa më e veçantë e tij, sepse intelekti është për shpirtin çfarë është syri për trupin”.
Kështu, njeriu paraqet në vetvete unitetin e mistershëm të materiales dhe shpirtërores, të natyrës së dukshme dhe asaj të padukshme, të tokësores dhe qiellores, të së përkohshmes dhe së pavdekshmes, kjo e bën njeri të vërtetë, ashtu si filozof shën Justini Martiri(100-165) thotë: “Por çfarë është njeriu përveç se kafshë e arsyeshme? A është shpirti nga vetvetja njeri? Jo, por shpirti i njeriut. A mund të quhet trupi njeri? Jo, por është quajtur trup i njeriut. Atëhere, asnjë nga këto nuk është në vetvete njeri, por bashkësia dhe uniteti i tyre është quajtur njeri.” (Mbi ngjalljen)
Shpirti ka si atribut mendjen, arsyen, vullnetin, ndërsa truri si organ i trupit, është instrumenti nëpërmjet të cilit përcillen mendimet nga shpirti në trup me anën e sistemit nervor. Truri luan rolin p.sh. e kompjuterit që merr komanda nga njeriu për të përdorur një makinë.
Për teologjinë e krishterë, mendimet nuk i prodhon truri me elementet kimike, pavarësisht se “truri është materia e organizuar në shkallën më të lartë”, por i prodhon shpirti. Filozofi Dekarti, thotë se: “ka një dallim midis trurit dhe mendjes”.
Zoti Jisu Krisht thotë: “Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut (shpirti), dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvëria, vrasjet, vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryelartësia, budallallëku. Të gjitha këto të mbrapshta dalin nga brenda dhe e ndotin njeriun” (Mark. 7:21-23).
Kjo e vërtetë e madhe e zbuluar nga Krishti, urtësia dhe dituria e Perëndisë, na tregon se nga zemra e njeriut, d.m.th. nga shpirti, dalin mendimet e liga, sepse shpirti është i prishur, kjo ka ndodhur që në zanafillën e njeriut, për shkak të mëkatit të çiftit të parë njerëzor Adam edhe Eva, ose, siç quhet në teologji, mëkati fillestar ose stërgjyshëror. Derisa njeriu ishte në bindje të ligjit Zotit: “Mos ha nga fryti i njohjes të së mirës dhe së keqes), se ditën që do të hash, me siguri ke për të vdekur” (Zanafilla 2:17), mendja e njeriut ishte e përqendruar vetëm te Perëndia, por pasi shkeli urdhrin e Perëndisë, i shtyrë nga cmira e djallit duke u thënë: “Ju s’keni për të vdekur aspak; por Perëndia e di që ditën që do t’i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen” (Zanafilla 3:4-5), njeriut nisi t’i punojë në shpirt mendimi i dyshimit për Perëndinë së bashku me gjithë mendimet e tjera të liga. Mëkati fillestar solli ndryshime të mëdha në jetën e stërgjyshërve tanë, preku dhe dëmtoi forcat shpirtërore te njeriu, duke krijuar në to ç’rregullime dhe mjegullim. Arsyeja e njeriut u dëmtua shumë dhe humbi kthjelltësinë dhe pastërtinë e saj të parë. Arsyeja, e cila ishte dritë e shpirtit, u errësua dhe humbi diturinë natyrale të saj. Asaj i humbi vizioni i qartë, sepse i ndryshoi drejtimi: nga theocentrik (rreth Zotit), në egocentrik (rreth vetes). Arsyeja e humbi lirshmërinë e drejtimit, duke u bërë rob i mëkatit, i cili tashmë mbretëron mbi të, duke e kthyer në një instrument të tijin, nëpërmjet mendimeve të ç’rregullta, perverse dhe vdekjeprurëse.
Gjendja mëkatare e çiftit të parë është trashëguar te të gjithë njerëzit që lindin nga fara e prishur e Adamit, si parim i gjallë i mëkatit, si ligj i mëkatit, sepse: “Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan (në Adamin)”(Romakve 5:12) Por, përveç mëkatit stërgjyshor që e trashëgojmë të gjithë nga prindërit: “sepse në mëkat më lindi nëna ime” (Psalmi 50), njeriu i shton vetes edhe mëkatet e tij personale. Prandaj edhe arsyeja dhe vullneti shfaqen të njollosura te gjithsecili dhe sa më shumë mëkate personale të bëjë, aq më e prishur është zemra (shpirti) edhe aq më shumë mendime të liga do të prodhojë, ashtu si diçka e vdekur që dekompozohet dhe lëshon erë e bëhet burim infeksionesh.
Autori i të gjitha këtyre mendimeve të liga është djalli, i cili si krijesë korruptoj veten e tij nga krenaria dhe i pari mendoi keq ndaj Perëndisë në qiell dhe nxiti njerëzit të mendojnë keq ndaj Zotit në tokë. Kështu, pas mëkatit, njeriu ra në sulmin e djallit dhe demonëve, të cilët janë shpirtra mendorë të papastër dhe zemra e njeriut u bë banesë frymësh të liga, sepse: “atje është dragoi”(Psalmi 104:25). Ata nxitin te njeriu mendime të ndyra, blasfemi dhe çdo gjë që e ndyn shpirtin, ashtu si mizat shkojnë dhe lëshojnë vezët në plehra. Shën Grigor Sinaiti thotë: “Mendimet e liga janë fjalë të demonëve dhe pararendës të pasioneve”.
Edhe pse njeriu mbetet i lirë t’i pranojë ose jo këto mendime, përsëri e ka të vështirë ose të pamundur të lirohet prej tyre. Ja si e trajton apostull Pavli luftën jetë a vdekje me mendimet e liga brenda tij: “Në fakt unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm, por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën skllav të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia…” (Romakëve 7:22-23).
Lufta mendore fillon me lindjen e mendimit të lig brenda shpirtit të prishur nga egoizmi dhe pasionet, ose tundimin e ardhur nga mendimi ndërhyrës i djallit, vazhdon me pranimin, kultivimin nga njeriu dhe përfundon me kryerjen e mëkatit. Shën Maksim Omologjeti thotë: “Kjo luftë është shumë më e vështirë se çdo vështirësi tjetër që kalon njeriu”.
Çlirimi nga mendimet e liga bëhet vetëm me ndihmën e Zotit, sepse vetëm Perëndia ka fuqi të depërtojë në thellësinë e qenies njerëzore dhe të shëndrrojë ndërgjegjen e shtrembëruar, të prishur pa kurrfarë shprese rregullimi. Kjo është arsyeja pse njerëzit e lodhur nga mendiet e liga kur hyjnë në kishë ose vënde të shenjta gjejnë qetësi, por kjo qetësi është e përkoshme në qoftë se ata nuk bashkohen me Zotin.
Zoti nuk mund t’i afrohet njeriut dhe ta çlirojë menjëherë dhe përfundimisht nga mendimi i lig , sepse njeriu është mëkatar, prandaj në fillim Perëndia i fal mëkatet njeriut me anën e Jisu Krishtit, Birit të Perëndisë, që u bë Bir njeriu dhe pësoi vullnetarisht për shpëtimin e gjithë njerëzimit sepse: “Mëkati lahet me gjak, se tek gjaku është jeta e njeriut” (Heb. 9-23; Lev. 17-11) Për këtë arsye, apostull Petro, nxënësi i Krishtit, thotë: “Prandaj duke ditur se jo me gjera që prishen si ari, argjendi, jeni shpenguar, …por me gjakun e çmuar të Krishtit si të qengjit të patëmetë e të panjollë”(Letra e 1 Pjetrit 1:18-19) dhe ai i nxit njerëzit: “Pendohuni dhe secili nga ju të pagëzohet në emër të Jisu Krishtit për faljen e mëkateve dhe ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë” (Veprat e Apostujve 2:38).
Vetëm në qoftë se njerëzit bashkohen me Krishtin me anën e pagëzimit, mund t’i pastrojnë shpirtrat e ndotur nga mëkati: “Sepse të gjithë ju që jeni pagëzuar në Krishtin, Krishtin keni veshur.”(Galatasve 3:27) Kur dikush është i veshur me Krishtin, mendimi i lig nuk qëndron më brenda njeriut, sepse djalli i cili sundon në zemrën e njerëzve, largohet i urdhëruar nga Krishti, me anën e lutjes së priftërinjve të tij që ju dha pushtet mbi gjithë forcat e armikut(djallit) “Ja, ju dhashë pushtet mbi çdo pushtet të armikut; dhe asgjë nuk do të mund t`ju dëmtojë.”(Luka 10:19). Kur dikush vjen të pagëzohet në Kishën Orthodhokse, mbi atë kryen nga priftërijntë aforkizmat (lutje për largimin e djallit):“Të qortoj ty, o djall, Ai (Krishti) i cili erdhi në botë dhe ndenji midis njerëzve që të rrëzojë tiraninë tënde dhe të shpëtojë njerëzit, dil dridhu dhe largohu prej kësaj krijese dhe të mos kthehesh as të fshihesh në të, as të piqesh në të ose të veprosh, as natën as ditën, as në mëngjes as në mesditë duke shkuar në tartarin tënd. Gjer në ditën që është përgatitur për të gjithë për t’u gjykuar” (Aforkizmi i parë).
Nëse djalli guxon edhe na lufton përsëri pas pagëzimit me mendime të liga, të krishterët e largojnë atë duke bërë shenjën e kryqit dhe përmendur Emrin e Krishtit , i cili është i frikshëm për demonët, ashtu siç thotë shën Partheni(shek III): “Ai i cili përmend shpesh emrin e shenjtë të Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, është sikur mban për djallin një kamxhik të fortë me të cilin e rreh”.
Filozofi i lashtë Aristoteli(384–322) thoshte: “Gjatë momenteve më të errëta, ne duhet të përqëndrohemi për të parë nga drita”. Këto fjalë të filozofit gjejnë përmbushje në fjalët e Krishtit: “Unë kam ardhur si drita për botën, që kushdo që beson në mua të mos mbetet në errësirë” (Joani 12:46).
*Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit, pranë Kryepiskopatës, KOASH