Kryesore Pse vendet nordike janë më të mirët për të rritur fëmijë

Pse vendet nordike janë më të mirët për të rritur fëmijë

Vende të tjera shpesh i kthejnë sytë nga Skandinavia për frymëzim për politikat familjare. Marrëveshjet e kujdesit për fëmijët në rajon janë ndër më të mirat në botë, duke mbështetur prindërit nga ditët e hershme të shtatzënisë deri në periudhën që fëmijët shkojnë në shkollë e më tej.

Douglas Broom*

Në renditjen e fundit të Vendet më të Mira për të Rritur Fëmijë, vendet vordike renditen në katër nga pesë vendet më të mira. Suedia renditet e para, e pasuar nga Danimarka dhe Norvegjia. Finlanda është në vendin e pestë. Sipas studiuesve, të cilët studiuan gjithsej 80 vende, kjo bazohet në një kombinim të mbështetjes që ofron shteti dhe kulturave miqësore ndaj familjes.

Gjërat bazike për foshnjën

Një nga karakteristikat më të njohura të prindërimit në vendet nordike është Paketa e Lindjes, ose “kutia e bebit”, e cila u jepet të gjitha nënave të reja që nga vitet 1930. Ato përmbajnë rroba, produkte kujdesi dhe një libër leximi. Pakoja e ditëve të sotme, e cila rishikohet çdo vit, përmban 64 artikuj.

Vetë kutia prej kartoni është shndërruar në një lloj ikone. Në shumicën e shtëpive finlandeze, ajo hapet dhe shërben edhe si një lloj shtrati për fëmijën e porsalindur. Skema është rivalizuar botërisht, me Skocinë që bën diçka të ngjashme, dhe skema lokale në Kanada dhe Malajzi. Disa kompani i ofrojnë ato për shitje private.

Pastaj ekzistojnë politikat bujare të kujdesit për fëmijët. Finlanda ofron shërbim falas ditor që kur fëmija është tetë muajsh deri në fillimin e arsimit formal në moshën shtatë vjeçare.

Shembulli i Suedisë

Në Suedi, prindërit kanë të drejtë të marrin 16 muaj leje lindje, viti i parë paguhet në 80% të pagës së tyre. Prindërit gjithashtu marrin një pagesë mujore prej 1,050 SEK (113 dollarë) për fëmijë dhe mund ta përdorin atë për të kompensuar koston e parashkollorit (förskola), që është vetëm rreth 200 SEK më shumë në muaj. Nëse prindërit duhet të marrin leje për t’u kujdesur për fëmijët e sëmurë, ata kanë të drejtë të vazhdojnë të marrin 80% të pagës së tyre.

Pothuajse të gjithë fëmijët suedezë ndjekin parashkollorin nga 18 muajsh deri në fillimin e arsimit formal në moshën gjashtë vjeçare. Si një përfitim shtesë, njerëzit me karrocë fëmijësh udhëtojnë falas në autobusët në qytetet kryesore, përfshirë Stokholm.

Fëmijët kalojnë kohë në pyll

Danezët njihen prej kohësh si pionierë në kujdesin e fëmijëve në vitet e tyre të para të jetës. Për shembull, lëvizja Forest School nisi në Danimarkë. Stafi dhe fëmijët e kalojnë kohën e tyre jashtë, zakonisht në pyje, dhe i kushtohet vëmendje lojës me objekte të gjetura dhe jo lodra komerciale. Përkrahësit thonë se ato përmirësojnë koordinimin fizik dhe i nxisin fëmijët të jenë më të sigurt në vetvete.

Tarifat e kujdesit për fëmijët në Danimarkë mbulojnë rreth 30% të kostos aktuale për çerdhe, kopshte dhe qendrat pas shkolle. Tarifat tipike janë më pak se 3,900 DKK (590 dollarë) në muaj.

Prindërit norvegjez kanë të drejtën e një pagese ndihme prej 1,054 NOK (123 dollarë) për fëmijë në muaj, e cila dyfishohet për prindërit beqarë. Kopshtet janë të hapura deri në 10 orë në ditë dhe paguhet një tarifë maksimale prej 2,500 NOK (290 dollarë) në muaj.

Leja e lindjes paguhet e plotë për 44 javët e para ose në 80% të pagës nëse prindërit zgjedhin të marrin 54 javë leje. Për të inkurajuar të dy prindërit që të luajnë rolin e tyre, baballarët duhet të marrin të paktën gjashtë javë leje lindje ose rrezikojnë që familja të humbasë pagesat për të njëjtën periudhë.

Edhe pse jo ndër 10 vendet e para, Islanda ofron pagesa leje lindje që u paguhen prindërve bazuar në të ardhurat e tyre aktuale neto. Kjo rivlerësohet dy herë në vit për të marrë parasysh ndryshimet në të ardhura. Çdo prind ka të drejtë të marrë tre muaj leje lindje, plus tre muaj të tjera që mund të ndahen midis tyre.

*Weforum.org. Why Nordic nations are the best place to have children