Nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla bëri përgjegjës kryetarin e opozitës, Lulzim Basha, për atë që e quajti dhunë opozitare sot në Kuvend.
“I drejtohem personalisht Bashës si nxitësi dhe orkestruesi kryesor i dhunës opozitare. Kushdo e mbështet thjesht sa largon Shqipërinë nga Europa dhe nxit destabilitetin në vend. Edhe pse sot, deputetë, qytetarë dhe punonjës të Policisë së Shtetit mund të goditen nga urdhrat qorre të Bashës, shqiptarët nuk kanë parë kurrë një lider opozite që të bëjë thirrje të hapur që të goditen forcat e rendit dhe institucionet. Shqiptarët nuk kanë parë kurrë që me urdhra politikë të goditen deputetët. Sot Lulzim Basha po sillet si një huligan në një ndeshje futbolli”, tha Balla, duke iu referuar kështu edhe sulmit ndaj kandidatit për deputet të LSI-së, Ralf Gjoni, i cili bëri betimin sot dhe mori mandatin në Kuvend.
Djegien e mandateve, Taulant Balla nuk e quajti një humbje për demokracinë, “pasi politikanë të papërgjegjshëm si puna e Bashës nuk e meritojnë të jenë në Parlament dhe as të kenë besimin e shqiptarëve”.
“Shqipëria nuk e meriton një kryetar të Partisë Demokratike si Lulzim Basha as jashtë Kuvendit të Shqipërisë në rolin e huliganit, pasi vendit i duhet të ecë përpara, ndërsa dhuna na kthen shumë prapa në kohë. Mjaft kohë kemi humbur deri më tani”, tha Balla.
Duke i quajtur vrasës të protestuesve para 8 vitesh që kërkojnë të vijnë në pushtet përmes forcës dhe dhunës, Balla tha se “politikanët janë të frikësuar nga drejtësia e re që po vjen, duke u bërë të gjithë bashkë: Luli, Saliu, Monika; për të mbrojtur interesat e tyre në kurriz të atyre të shqiptarëve”.
“Aktet e tyre nuk kanë asnjë lidhje me aspiratën e qytetarëve shqiptarë. Partnerët tanë amerikanë dhe europianë e kanë dekurajuar qartësisht pjesëmarrjen qytetare, duke theksuar se Shqipëria ka një Parlament dhe një qeveri legjitime, të dala nga zgjedhjet e 2017-s të njohura ndërkombëtarisht dhe të certifikuara si më të mirat e zhvilluara në Shqipëri”, tha më tej Balla.
Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, sipas tij kanë kuptuar se “janë humbës që nuk mund të fitojnë zgjedhjet, sepse askush nuk iu beson më”.
Ai iu bëri thirrje deputetëve të rinj të opozitës të ulen në tryezë dialogu dhe të kontribuojnë në miratimin e reformave të rëndësishme, mes të cilave edhe ajo Zgjedhore.