Një i mitur shqiptar në Zvicër me origjinë nga Kosova, është qëlluar për vdekje me thikë. Ngjarja ka ndodhur të enjten në Bazel, teksa 7-vjeçari Mërgim L. kishte mbaruar mësimin dhe po kthehej nga shkolla. Rasti i rëndë tronditi opinionin publik në Zvicër.
Sipas mediave vendase, vogëlushi u godit me thikë nga një e moshuar 75-vjeçare zvicerane. I mituri ishte goditur në qafë dhe kishte pësuar gjakëderdhje. Ai u gjet i shtrirë në trotuar nga mësuesja, pasi sulmi ndaj tij kishte ndodhur vetëm pak metra larg shkollës. 7-vjeçari u dërgua me urgjencë në spital, por fatkeqësisht nuk mundi të mbijetonte, raporton media zvicerane “Blick”.
Autorja e dyshuar e sulmit ndaj 7-vjeçarit është arrestuar dhe po merret në pyetje. Shkaqet e kësaj ngjarje të rëndë mbeten të paqarta. “Klan Kosova” ka zbuluar se familja e vogëlushit është me origjinë nga Lipjani. E ëma e 7-vjeçarit nuk kishte mësuar për ngjarjen që kishte ndodhur deri rreth orës 20:00 me orën lokale, në një kohë kur sulmi ndaj vogëlushit kishte ndodhur në mesditë. Ajo po e priste djalin të shkonte në shtëpi, pasi banesa e tyre është jo më shumë se 10 minuta larg shkollës. Autoritetet zvicerane fillimisht i kishin thënë të ëmës se djali i saj ishte përplasur nga një makinë dhe nuk e kishin lejuar ta shikonte. Më pas e njoftuan se 7-vjeçari ishte sulmuar me thikë nga një grua e moshuar.
Mëngjesin e së premtes, qytetarë të shumtë kanë vendosur lule në trotuarin ku vogëlushi shqiptar humbi jetën. Prindërit shprehen të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve të tyre duke marrë shkas nga kjo ngjarje, dhe thonë se nuk mund t’i lënë fëmijët të pashoqëruar pasi dalin nga ambientet e shkollës. Ndërsa shokët e 7-vjeçarit kur mësuan për atë që kishte ndodhur, u tronditën. Stafi i shkollës po i trajton ata me psikologen për t’i qetësuar.