Për herë të parë në historinë e mjekësisë, Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve, ka miratuar një medikament të caktuar veçanërisht për trajtimin e depresionit pas lindjes, e cila është një zgjidhje për nënat e reja dhe për mjekët.
Të martën Administrata, njoftoi se do të miratonte terapinë intravenoze të ilaçit “Brexanolone” të nënat e reja pas lindjes. Studiuesit treguan se kanë punuar prej shumë kohësh për të kuptuar se si do të funksiononte ilaçi për sëmundje që prek një në nëntë nëna të reja.
Depresioni pas lindjes është një sëmundje mendore e cila mund të rezultojë e rrezikshme për nënën por edhe për foshnjën, pasi gratë përgjithësisht në këtë faze mund të dëmtojnë veten ose fëmijën. “Ilaçi është aprovuar posaçërisht për të trajtuar depresionin pas lindjes, duke ofruar një zgjidhje për trajtimin e sëmundjes”, tha në një njoftim për shtyp Tiffany Farchione, drejtoreshë e Departamentit të Produkteve të Psikiatrisë në qendrën e Administratës për vlerësimin e ilaçeve.
“Për shkak të shqetësimeve rreth dëmeve shëndetësore që mund të shkaktojë ilaçi, duke përfshirë humbjen e ndjenjave apo gjendjen e gjumit për një kohë shumë të gjatë, medikamenti u kontrollua sistematikisht përpara se të provohej. Në mënyrë që të anashkalojmë çdo lloj rreziku, medikamenti do të merret nga pacientët vetëm me udhëzimin e mjekut që e ka ndihmuar gjatë gjithë kohës së shtatzënisë,” shtoi ajo.
Studiuesit thonë se medikamenti duhet të merret me anë të terapisë intravenoze një herë në 60 orë. Në studimin e kryer hulumtuesit vunë re se medikamenti shkaktonte efekte anësore, si dhimbje koke të lehtë, marramendje ose gjendje gjumi. Kompania që krijoi medikamenti “Sage Therapeutic” cilëson se ilaçi do të kushtojë nga 20.000 dollarë deri në 35.000 dollarë për një kurë.
Doktor Jeff Jonas, lideri i kompanisë bio-farmaceutike tha se ilaçi do të dal në treg në qershor dhe do të jetë në dispozicion vetëm përmes një programi të krijuar nga studiuesit që quhet, “Programi i Vlerësimit dhe Parandalimit të Rrezikut ndaj mjekimit”, që përcakton se ilaçet do të ofrohen vetëm nga mjekët në spital.
“Administrata e ushqimit dhe ilaçeve, nuk ka aprovuar më parë ndonjë ilaç specifik për depresionin pas lindjes, prandaj aprovimi dhe lançimi i këtij medikamenti është një përparësi për pacientët,” tha mjekja Kristina Deligiannidis, drejtoreshë e spitalit të grave Zucker Hillside në Nju Jork, e cila u përfshi në studimin e medikamentit.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Mendor, nëse nuk trajtohet kjo sëmundje mund të zgjasë për muaj apo vite të tëra. Vetëm në SHBA,vlerësohen çdo vit më shumë se 400.000 gra që vuajnë nga depresioni pas lindjes, kështu që medikamenti është një zbulim i rëndësishëm për mjekësinë.
Studiuesit thonë se hulumtimi ka nisur që prej vitit 2016, duke përfshirë hulumtimet e kryera në 30 qendra kërkimore në spitalet psikiatrike të SHBA, duke trajtuar rreth 200 gra që kishin simptoma të depresionit pas lindjes. Ato ndoqën trajtimin për rreth një muaj dhe studiuesit vunë re që në ditët e para, që medikamenti kishte efekt. Hulumtuesit gjithashtu u shprehën se gjetjet e tyre, janë një dëshmi e fortë për efikasitetin e injeksionit të medikamentit dhe kjo është një zgjidhje për vuajtjen e shumë grave në mbarë botën.
“Unë shpresoj që zbulimi i ri të rrisë ndërgjegjësimin e femrave dhe ato gra që e vuajnë depresionin në heshtje të marrin trajtimin që i’u nevojitet,” thotë Dr Samantha Meltzer, pedagoge për çrregullimet e shëndetit mendor në universitetin e Mjekisë në Karolinën e Veriut.
Gjithashtu, mjekja shtoi se të dhënat klinike që mbështesin efektivitetin e medikamentit, janë një tjetër dëshmi se mjekësia është gjatë gjithë kohës në zhvillim./CNN/