Aktualitet “E përshëndeti para se ta qëllonte”, kamerat kapin vrasësin e avokatit

“E përshëndeti para se ta qëllonte”, kamerat kapin vrasësin e avokatit

Asnjë i dyshuar për vrasjen mafioze të avokatit në qendër të Elbasanit.

Ravik Gurra, prej 10 vitesh avokat, u qëllua me dy plumba në kokë, ndërsa ishte ulur për të konsumuar kafe në një lokal bashkë me një përfaqësues të Avokatit të Popullit.

Për ekzekutimin e 50-vjeçarit, autori i maskuar me një kapele ka përdorur një pistoletë me silenciator. Nga rindërtimi i ngjarjes, autori i është afruar qetësisht Gurrës dhe më pas e ka qëlluar pas koke dhe më pas është larguar me shpejtësi.

Për të mos krijuar dyshime, autori, në momentin që është drejtuar për te tavolina ku qëndronte Gurra, e ka përshëndetur me dorë.

Kamerat e sigurisë kanë arritur të kapin autorin, por Policia dhe Prokuroria deri tani nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë identifikimin e tij. Ravik Gurra, babai i dy fëmijëve, prej vitesh bënte një jetë mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, ku jetonte bashkë me familjen që prej vitit 1998. Dy çështjet më të rëndësishme që 50-vjeçari ka mbrojtur në vendin tonë lidhen me fisin Çapja në Elbasan si dhe Emiljano Shullazin në Tiranë. Përveç Shqipërisë, Gurra ushtronte profesionin e avokatit dhe në Angli, ku kishte themeluar zyrën e quajtur “Gurra & D”, ku kryesisht merrej me çështje të emigrantë shqiptarë në vendin ishullor.

Pistat e hetimit

Pista kryesore në të cilën po heton prokuroria për e ekzekutimin e avokatit Ravik Gurra në Elbasan është ajo e vrasjes për shkak të detyrës.

Dosja do t’i kalojë Prokurorisë për Krimet e Rënda. Dyshimet kryesore të hetuesve e lidhin ngjarjen me profesionin e avokatit, pasi gjatë viteve të fundit ai ka qenë pjesë e dosjeve të bujshme si “Shullazi”, apo anëtarëve të familjes Çapja.

Hetimet për zbardhjen e vrasjes së Ravik Gurrës i kanë kaluar

Viktima

Ravik Gurra ishte i diplomuar për Drejtësi në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1998, 50-vjeçari emigroi në Britaninë e Madhe ku u zhvendos bashkë me familjen. Në Angli, Gurra mësohet se ka punuar si përkthyes në Gjykata, Ministrinë e Emigracionit dhe Polici. Gurra, gjithashtu, ka studiuar për Avokati dhe në Britani, ku edhe kishte hapur një studio ligjore.

Kolegë të Gurrës në Shqipëri shprehen të befasuar për ngjarjen pasi vetë 50- vjeçari nuk u kishte shprehur atyre asnjë shqetësim. Ndërsa banorët e Elbasanit që kishin njohje me avokatin shprehen të indinjuar për ngjarjen. “Turp ku jetojmë, turp çfarë njerëzish po edukojmë, po vritemi në mes të rrugës dhe asnjë nuk na mbron”. Këto janë disa nga komentet e opinionit elbasanas në këtë ditë të vrasjes së avokatit. Ndërkohë që nga mbrëmja e së premtes e në vijim, qyteti është blinduar nga Policia dhe forca të RENEA-s, të cilët kanë ushtruar kontrolle në banesa në akse të ndryshme dhe në lagje të qytetit.